Bardhi i dërgon letër Trupit Diplomatik: “Diella” na provokoi

Pas kaosit në seancën e sotme plenare në Kuvend, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka dërguar një letër zyrtare Trupit Diplomatik të Tiranës, ku denoncon atë që demokratët e cilësojnë si të paprecedentë dhe anti-kushtetuese.

Letra është firmosur nga kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi i cili i drejtohet ambasadorëve dhe përfaqësuesve të huaj në Tiranë se “Kuvendi po përjeton një prej momenteve më të rënda në jetën parlamentare dhe demokratike”.

Sipas letrës së demokratëve, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Peleshi provokojnë opozitën me qëllim që të minojnë rolin e saj në jetën politike.

“Për herë të parë në 35 vite pluralizëm, debati parlamentar u ndërpre në mënyrë të qëllimshme dhe antikushtetuese. U shkelën të gjitha normat e funksionimit demokratik të Kuvendit,” thuhet në letër.

PD thekson me shqetësim faktin se fjalimi i Kryeministrit Rama u ndërpre për të transmetuar një video nga një figurë virtuale, e ashtuquajtura “Ministrja e Inteligjencës Artificiale Diella”, duke u konsideruar si një akt propagandistik i pashembullt në historinë e legjislaturës shqiptare.

Pas fjalës së “Diellës”, deputetët e opozitës morën “flakë” duke mos lejuar që seanca plenare të zhvillohet normalisht, ndërsa nuk munguan as sendet e forta si shishe apo kushtetuta të cilat fluturonin në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë kishte përgatitur dhe një fjalim ku do të shpaloste objektivat e qeverisë së tij gjatë mandatit të katërt, por nuk u lejua pasi “besnikët” e Berishës bënin zhurmuesin duke qëlluar tavolinat me dorë. m.p.