Skemat piramidale janë kthyer në një problem. Qindra shtetas shqiptarë kanë rënë pre e mashtrimeve duke u bërë pjesë e platformave online të cilët u prezantohen si forma investimi për të të arritur fitime të shpejta.
Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar i bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos u besojnë dhe investojnë para në platforma online. Autoritete vijojnë hetimet për, ndërsa më herët u zbardhen raste të ndryshme të qytetarëve që ishin mashtruar duke lënë paratë e tyre. Ky fenomen rezultoi i përhapur në Divjakë e Lushnje. Megjithatë pavarësisht operacioneve të zhvilluara nga policia për goditjen dhe zbulimin e këtyre skemave të mashtrimit, duket se grupet kriminale po përpiqen të përdorin forma të reja mashtrimi online për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Në këtë kontekst, sipas policisë është konstatuar se në platforma komunikimi si “Viber”, “Telegram” dhe të ngjashme, po qarkullojnë grupe që ofrojnë “mësime falas” mbi funksionimin e kriptomonedhave.
Qëllimi i tyre i vërtetë është të fitojnë besimin e qytetarëve dhe më pas t’i nxitin ata të investojnë në platforma mashtruese.
Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që kanë humbur para, duke investuar në platforma si “Xuex”, “Txex” apo të tjera të ngjashme, të paraqiten në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe në sektorin për Hetimin e Krimit kibernetik në çdo drejtori vendore të Policisë, për të denoncuar rastet.
Gjithashtu qytetarët ftohen që t’i denoncojnë rastet e tilla, dhe të ndihmojnë për dokumentimin e plotë të këtyre aktiviteteve dhe për mbrojtjen e qytetarëve të tjerë./kb