Berisha: Do bashkojmë votat për të shkarkuar Veliajn

Opozita nuk është dorëzuar përballë mazhorancës. Këtë pohoi Sali Berisha, një ditë pasi shumica parlamentare vendosi që të miratojë programin politik dhe përbërjen e kabinetit qeveritar, duke mbyllur seancën parlamentare pa debat.

“Opozita e ka shumë të qartë se me këtë narkoqeveri, që ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë elektorale, ka vetëm luftë frontale me të gjitha format e saj, në parlament, jashtë parlamenti dhe ne do i përgjigjemi dhëmb për dhëmb të gjithë kësaj përpjekje për të shtypur pluralizmin në Shqipëri”, tha Berisha.

Pavarësisht përballjes me mazhorancës në Kuvend, duket se ndryshe është situata në Këshillin Bashkiak. Berisha pohoi se do të votojnë pro shkarkimit të Veliajt, duke bashkuar votat me PS-në, ndonëse ai e sheh në krahun e kundërt spostimin e qasjes politike, kur nënvizon se ishte mazhoranca ajo që erdhi në qëndrimin e opozitës.

“Qytetarët janë dëshmitarë se në çdo mbledhje të këshillit bashkiak, këshilltarët e PD kanë kërkuar, kanë insistuar për shkarkimin e menjëhershëm të Erion Veliajt. Dhe në qoftë se Edi Rama vendos të bashkojë votat me opozitën për shkarkimin e tij, ne natyrisht nuk mund të mos votojmë për plotësimin e asaj kërkese që ne e kemi bërë në çdo mbledhje të këshillit bashkiak”. M.P.