Fitim Dumani, vëllai i vogël i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, ka treguar për herë të parë se në dijeni në tyre vrasja e vëllait të ish-deputetit socialist të Lezhës, Arben Ndoka, është porositur nga një politikan i madh në Shqipëri, i cili sot është prapa hekurave.
Duke folur ekskluzivisht për emisionin “Ma Shqip” me gazetarin shqiptar në Amerikë, Flamur Vezaj, vëllai i vrasësit me pagesë ka thënë se me zbardhjen e vrasjes së Aleksandër Ndokës, SPAK ka shancin të tregojë veten, se çfarë institucioni është.
“Vrasja… aty do shohim se ku shkon SPAK-u. Është porositur nga dikush që është shumë i madh këtu. E ke në burg”, tha Fitim Dumani. Vëllai i vogël i Nuredinit tregoi për gazetarin Vezaj se dhe atij vetë i është hequr mbrojtja nga shteti.
Fitim Dumani: Edhe këtë Durim Bamin, që e ngatërrojnë, i bien më qafë kot.
Flamur Vezaj: Për cilin rast?
Fitim Dumani: Për vrasjen e vëllait të atij…
Flamur Vezaj: Deputetit?!
Fitim Dumani: Po
Flamur Vezaj: Po përse nuk e ka bërë Durim Bami vrasjen e Ndokës?!
Fitim Dumani: Sa ke lidhje ti, ka edhe ai.
Flamur Vezaj: Po kush e ka bërë, ke informacion? E ka thënë Nuredin Dumani se kush?
Fitim Dumani: S’ka lidhje Nuredini aty, ka lidhje dikush tjetër.
Flamur Vezaj: Kush? Të Fushë Krujës apo të Shkodrës?
Fitim Dumani: Jo, jo jo s’kanë lidhje fare as ata andej. Vrasja… aty do shohim se ku shkon SPAK-u. Është porositur nga dikush që është shumë i madh këtu. E ke në burg.
Flamur Vezaj: Nga politika?
Fitim Dumani: Po.
Tre vite më parë, në 2 Qershor 2022, gazetari Artan Hoxha ka zbardhur një dëshmi tronditëse të Nuredin Dumanit. Ai tha në emisionin “Opinion” se sipas Dumanit, Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputetit të PS.
Ngjarja për të cilën flet gazetari dhe e dëshmuar nga Nuredin Dumani para SPAK, lidhet me ekzekutimin mafioz në derën e shtëpisë së Aleksandër Ndokës, vëllai i ish-deputetit të PS Arben Ndoka. Ngjarja dhe sot e kësaj dite është pa autor. m.p.