Në ditën e tretë të ekspozitës “Materializimi i Ëndrrës”, artisti Henri Mimani solli një tjetër përvojë të veçantë përmes një workshop-i në natyrë. Fëmijët, duke punuar me baltë dhe duke përdorur duart si mjetin më të çmuar të krijimit, u njohën me mënyrën se si ëndrrat mund të marrin formë artistike.
Kësaj atmosfere iu bashkuan edhe fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”, të cilët e mbushën hapësirën me gëzim, energji dhe imagjinatë. Aktiviteti u bë i mundur falë mbështetjes së MEKI dhe bashkëpunimit me Parkun, duke krijuar një ditë ku arti dhe fëmijëria u ndërthurën në mënyrë të paharrueshme.
Ekspozita “Materializimi i Ëndrrës” është një projekt i Henri Mimanit, ku ëndrrat e fëmijëve shndërrohen në skulptura 3D. Ky proces krijues, i zhvilluar bashkë me të vegjlit, sjell dëshmi se çdo fantazi mund të marrë jetë në formë arti, duke ruajtur të gjallë fëmijën që secili prej nesh mban brenda vetes.
Ekspozita mbetet e hapur për vizitorët çdo ditë, duke ofruar jo vetëm mundësinë për të parë veprat, por edhe për të marrë pjesë në workshop-et ku arti, natyra dhe imagjinata ndërthuren në një përvojë unike. m.p.