Opozita bllokoi seancën parlamentare të së enjtes ku Edi Rama do të prezantonte programin qeverisës së bashku me kabinetin qeveritar. Menjëherë pas kësaj seance, demokratët vrapuan drejt selisë blu, ku është diskutuar për shumëçka, por më shumë për mënyrën se si do të rrëzojnë Edi Ramën nga pushteti.
Ajo çka i ka habitur të gjithë, është propozimi i deputetit të Lezhës, Gjin Gjoni, i cili i ka thënë Berishës që të mobilizojnë 20 mijë qytetarë, duke iu siguruar ushqimin, që ata të ngujohen tek parlamenti.
“Propozimi im është që ne të gjithë si deputetë të mbledhim nga 1 mijë euro dhe të mobilizojmë 20 mijë qytetarë që të ngujohen te Parlamenti. T’u sigurojmë atyre ushqim dhe të rrinë aty pa lëvizur. Ky është propozimi që kam për tani doktor, propozimin për largimin e Ramës mund t’ua them në vijim.”-mësohet të ketë thënë Gjoni.
Kryedemokrati Sali Berisha i ka thënë Gjonit se është i interesuar për propozime që bëjnë të mundur largimin e Edi Ramës.
Sakaq, në këtë mbledhje, mësohet se Saimir Korreshi ka kërkuar që të ndiqet procedura për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi, pasi sipas tij shkeli rregulloren duke hedhur në votim pa debat programin e qeverisë. m.p.