Shtyllat e “Rama 4”, Shqipëri europiane, rritje ekonomike dhe mirëqenie për të gjithë

“Shqipëria Europiane”, “Rritje ekonomike e qëndrueshme” dhe “Mirëqenie për të gjithë”…janë këto tre shtyllat që përbëjnë programin qeverisë të Partisë Socialiste në mandatin katërt. Emëruesi i për zotimet e qeverisë të shtrira në 24 drejtime të ndryshme është “më shumë mirëqenie për shqiptarët”.

“Është një program tepër i bukur për t’u bërë realitet. Premton shumë në drejtim të mirëqenies, të rritjes së qëndrueshme dhe afrimit të Shqipërisë me standardet europiane. Por sfida është zbatimi, sepse shpesh kemi parë programe të mira në letër që hasin vështirësi në terren. Pa institucione të forta, administratë efikase dhe politika konkrete mbështetëse për biznesin dhe shtresat në nevojë, edhe zotimet më ambicioze rrezikojnë të mbeten premtime elektorale”, tha Suzana Guxholli, eksperte për ekonominë.

Rritje pagash, pensionesh, rishikim taksash, aplikimin e ‘paqes fiskale’ e një sërë projektesh infrastrukturore, turistike e bujqësore, parashikohen në programin qeverisës të Partisë Socialiste në këtë mandat të 4-të. Pas vitit 2028, angazhimi i qeverisë është që të zhduk përdorimin e parasë cash.

“Një pjesë e madhe e objektivave të qeverisë janë vendosur për vitin 2030, përtej mandatit aktual. Kjo krijon paqartësi, sepse qytetarët nuk kanë garanci se angazhimet do të mbahen. Ulja e papunësisë në 6 për qind dhe rritja e të ardhurave për frymë në 15 mijë euro janë synime ambicioze, por kërkojnë reforma të thella në tregun e punës dhe nxitje të investimeve të huaja. Pa këto, mbeten më shumë aspirata sesa objektiva të prekshme.”

Ajo që bie në sy është se një sërë angazhimesh të qeverisë synojnë të përmbushen në vitin 2030, që shkon përtej mandatit aktual të socialistëve, ndërsa një pjesë e premtimeve janë pa afat kohor. Për papunësinë është parashikuar ulje në 6 për qind deri në 2030 nga 8.5 për qind që është aktualisht. Me synim rritjen e mirëqenies dhe shtimit të aktivitetit ekonomik, objektivi është që të ardhurat për frymë të arrijnë 15 mijë euro në 2030-ën, ndërsa prodhimi kombëtar 35 miliardë euro.

Lexo edhe :  Tomor Alizoti: Deputetët socialistë janë injorantë, luajnë me topa letrash

“Premtimi për një ekonomi plotësisht digjitale pas vitit 2028 është shumë i madh. Ai do të ndihmonte në uljen e informalitetit dhe do ta sillte Shqipërinë më afër standardeve europiane. Por kalimi drejt një ekonomie pa cash nuk është i lehtë: kërkon investime në infrastrukturë digjitale, edukim financiar të qytetarëve dhe siguri të lartë kibernetike. Në të njëjtën kohë, projektet për turizmin dhe infrastrukturën janë pozitive, por gjithçka do të varet nga zbatimi real dhe jo nga planet në letër.”

Nga 2028 ekonomia pritet të jetë tërësisht digjitale, ku çdo transaksion është pa cash. Ndërsa në turizëm e në infrastrukturë, parashikohet ndërtimi i disa marinave turistike, dhe hapje e disa kantiereve të reja ndërtimi rrugore, detare, hekurudhore dhe ajrore. m.p.