Transporti publik bëhet shtetëror brenda 2030, nis me 7 itinerare turistike

Edhe transporti publik që sot ofrohet nga operatorë privatë kundrejt pagesës, brenda këtij mandati të katërt, qeveria planifikon ta kthejë në shtetëror.

Në programin qeverisës të miratuar më 18 shtator në Kuvend, parashikohet ngritja e një shoqërie shtetërore ‘MobAl’ si Agjenci Kombëtare për Transportin Publik, e cila do të fillojë operimin në disa faza, fillimisht për të çuar nxënës në shkolla dhe më pas për qëllime turistike.

“Në fazën fillestare ofron shërbime në 7 itinerare turistike kombëtare dhe ofron transport publik shkollor në tre zona të vendosura strategjikisht në veri, jug dhe juglindje, aty ku nxënësit kanë vështirësi në aksesimin e shkollës, duke garantuar mundësi të barabarta arsimimi për çdo fëmijë”, thuhet në program.

Përmes këtyre hapave qeveria thotë se do të ulet numri i atyre që braktisin shkollën, reduktohet pabarazia territoriale si dhe mbështetet fuqizimi i industrisë turistike me punonjës, pasi është transporti i garantuar.

Po ashtu qeveria planifikon që brenda këtij mandati të përparojë në teknologji edhe sa i takon transportit publik, ku parësore konsiderohet implementimi i sistemit të biletave elektronike, me argumentin se është më transparente dhe e besueshme nga qytetarët.

Në program është parashikuar po ashtu që flota e transportit publik aktuale të zëvendësohet me rreth 100 autobusësh elektrikë, me standarde të reja sigurie, efikasiteti dhe respekti për mjedisin. m.p.