Tritoli në shtëpinë e Mziut, Bardhi: Akt kriminal

Gazment Bardhi ka komentuar shpërthimin me tritol në murin rrethues të banesës së demokratit Xhelal Mziut.

Gjatë reagimit në Facebook, Bardhi tha se akte të tilla ndaj një deputeti janë të paimagjinueshme në një shoqëri demokratike.

Gjithashtu Bardhi i kërkoi policisë së shtetit dhe autoriteteve që të zbardhin menjëherë ngjarjen duke vendosur para përgjegjësisë autorët.

“Dënoj me forcë aktin terrorist të goditjes me eksploziv ndaj kolegut Xhelal Mziu. Akte të tilla kriminale ndaj një deputeti janë të paimagjinueshme në një shoqëri demokratike dhe do të duhet të kishin alarmuar organet përgjegjëse të sigurisë. Deri në këtë moment Policia e Shtetit, përveç një njoftimi pa përmbajtje, nuk rezulton të ketë përcjell asnjë informacion mbi veprimet për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes dhe autorëve të mundshëm të saj.

Secili prej nesh, kolegëve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, është pranë deputetit Mziu dhe familjes së tij, dhe apelojmë në mënyrë urgjente institucionet përgjegjëse të zbardhin menjëherë ngjarjen dhe të vendosin përpara përgjegjësisë autorët e këtij krimi të shëmtuar. Çdo vonesë e pajustifikuar do të ishte për ne e papranueshme”, shkruan Bardhi. M.P.