Bashkia e Vlorës pa kryetar/ Bledi Çuçi mbledh këshilltarët socialistë: Duhet emër unik!

I deleguari politik i Partisë Socialiste në Vlorë, Bledi Çuçi, zhvilloi dje një mbledhje me kryesinë e këshilltarëve socialistë në Vlorë, në selinë e partisë, për të diskutuar mbi emrin që do të propozohet si pasues i kryebashkiakut Ermal Dredha.

Burime nga takimi bëjnë me dije se Çuçi ka theksuar se nuk është mirë që këshilltarët socialistë të dalin me disa emra në mbledhjen e të hënës, ndaj duhet të ketë një kandidaturë të vetme.

Sipas tij, duke qenë se problematika më e madhe ka qenë tek puna publike dhe infrastruktura, emri më i përshtatshëm për të zëvendësuar Dredhën është Elis Halili.

Megjithatë, ky propozim nuk ka qenë emri i vetëm.

Në mbledhje mori pjesë edhe vetë Ermal Dredha, i cili shprehu keqardhjen për lënien e mandatit në mes.

“Mund të kishim bërë edhe më shumë, por kemi bërë më të mirën për qytetin”, është shprehur ai para të pranishmëve. Ndërkohë prezent mësohet se ka qenë edhe vetë Elis Halili.

Ky i fundit u emërua si nënkryetari i tretë nga vetë Ermal Dredha para se të jepte dorëheqjen nga detyra.

Ndërkohë që ditën e hënë, më 22 shtator, Këshilli Bashkiak i Vlorës do të mblidhet për të zgjedhur një kryetar të komanduar për Bashkinë./E.T