DASH raport për transparencën fiskale, Shqipëria mes vendeve që përmbushin standardet

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e transparencës fiskale për vitin 2025, ku Shqipëria është mes 71 vendeve që përmbushin standardet.

Sipas raportit, nga 139 vende dhe Autoriteti Palestinez të vlerësuara, 71 qeveri u cilësuan si përmbushëse të kërkesave minimale, ndërsa 69 nuk arritën të plotësonin kriteret. Nga këto të fundit, 26 vende kanë bërë përparim të konsiderueshëm drejt përmbushjes së standardeve.

Në vlerësimin e tij, Departamenti i Shtetit thekson se Shqipëria, së bashku me disa vende të tjera, ka siguruar transparencë në dokumentet buxhetore, kontratat dhe licencat publike, duke përmbushur standardet në lidhje me publikimin, përmbajtjen dhe besueshmërinë e tyre.

Në listën e vendeve që përmbushin kërkesat minimale të transparencës fiskale përfshihen edhe vende si Brazili, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Izraeli, Turqia, Portugalia, Rumania, Afrika e Jugut, India etj.

Ndërkohë, për 69 vende të tjera Departamenti thekson se nuk i përmbushin standardet, megjithëse një pjesë e tyre ka shënuar progres të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës. m.p.