Jose Mourinho u prezantua si trajneri i ri i Benficas, kjo vetëm tre javë pasi u shkarkua nga turqit e Fenerbahces. Portugezi rikthehet në vendlindje dhe konkretisht në klubin ku e nisi si trajner 25 vite më parë.
Por 62-vjeçari nuk ka qëndruar pa krijuar polemika, teksa në fjalën e tij gjatë prezantimit te Benfica, nuk ka lënë pa thumbuar edhe Fenerbahcen, teksa shtoi se turqit “nuk ishin klub në nivelin apo kulturën e tij”.
“Karriera ime ka qenë e pasur, kam trajnuar klubet më të mëdha në botë në vende të ndryshme. Bëra një gabim që shkova te Fenerbahce. Nuk ishte niveli im kulturor, as niveli im i futbollit. Por sigurisht dhashë gjithçka deri në ditën e fundit”, tha ai mes të tjerash.
Kur trajneri postoi një foto në ‘Instagram’ nga qendra stërvitore e Benficas me mbishkrimin “mirëmëngjes, një ditë e veçantë”, tifozët e Fenerbahces e “sulmuan” me komente.
Mesazhet e tyre ishin të ashpra, si: “special money”, “empty one”, “mercenar”, “ke rënë në nivel, Benfica < Fenerbahce”. Dhjetëra e qindra komente tregojnë zhgënjimin e madh, pas një historie dashurie të mbyllur papritur dhe në mënyrë të hidhur. Mourinho, edhe një herë ka ndezur polemika./e.t