Lahuta e Fishtës shkruar me dorë, 40 vitet e thesarit unikal

Nga SIMON SHKRELI

“Ka qenë viti 1986 kur baba e ka marrë “Lahutën e Malcisë” tek Dodë Loshi në fshatin Trush. Kishte mungesë sepse “Lahuta” e At Gjergj Fishtës ishte e ndaluar. I ka thënë, për një muaj ta kthej”. Gjon Nika numëron plot 67 vite në jetë dhe është ndër njerëzit që ruan në shtëpinë e tij me fanatizëm një thesar të rrallë, nga ata që gjenden veç NJE i tillë, dhe jo njëherë në jetë.

Është nga fshati Fishtë në Zadrimë dhe emocionohet kur sheh se ka akoma njerëz që duan të nxjerrin nga thesaret e kujtesës së tij ato pak gjëra me vlerë që kanë mbetur qysh në kohën kur komunizmi sundonte rëndshëm, dhe ishte herezi të flisje për kulturë e letërsi “të naltë”, siç ishte rasti i Fishtës.

Por ja që sot, i duhet të hapë sëndukun e kujtesës dhe të rrëfejë për lexuesit e Newsbomb.al sesi në duart e tij ka mbërritur “Lahuta e Malcisë”, e shkruar/kopjuar e gjitha me dorë, me një kaligrafi mbresëlënëse, e me gishtat e tij që hapin fletët një e nga një me shumë kujdes për të mos u dëmtuar.

E pra, kur është ruajtur e tillë për gjysmë shekulli, edhe pse fletët janë të zverdhura, pse të mos ruhet ende?! Dikush tjetër do të kujtohet për të rrëfyer historinë, sikurse po ndodh me ne, që e sjellim atë sot, rrëfyer në vet të parë nga trashëgimtari i Lahutës origjinale, e ruajtur në shtëpinë e tij që prej vitit 1986.

“Jemi kushërinj të parë, nga e njëjta degë e familjes. Gjyshi i babës tim Ejëll Gjeka dhe At Gjergj Fishta kanë qenë kushërinj të parë. Madje siç më ka treguar gjyshi por edhe baba, At Gjergji, gjyshin e babës Ejllin (Engjëlllin) e ka dërguar në Itali që të specializohet në agronomi dhe prej tij kemi edhe këtë plug të prodhuar në Perugia”. m.p.