“Veliajn e duam përballë në martën”

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, përmes një postimi në rrjete sociale ka kërkuar që Erion Veliaj të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit të martën, ku do të vendoset për shkarkimin e tij.

Dorian Teliti shprehet se Veliaj meriton të dëgjohet përpara se të shkarkohet. Sakaq, Teliti ngre pyetjen nëse do ta lejojë qeveria Erion Veliajn që të dalë nga burgu për të folur, apo do ta mbajë të mbyllur nga frika se mos i del boja edhe atyre bashkë me të.

Kujtojmë se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka nisur procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, teksa prezantonte emrat e rinjt të kabinetit qeveritar.

Nga ana tjetër, një ditë më parë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka drejtuar një kërkesë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke i kërkuar që të jetë i pranishëm dhe të dëgjohet në mbledhjen e ardhshme, ku pritet të bëhet dhe shkarkimi i tij nga detyra.

Erion Veliaj është shprehur se mungesa e tij nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale dhe thotë se do ta kundërshtojë deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Reagimi i plotë i Telitit

“FJALA E VELIAJ” vs “LEJA E QEVERISË”!

Të martën është dita kur Veliaj pritet të shkarkohet nga detyra nga Këshilli Bashkiak. Ama para shkarkimit, ai ka të drejtën të dëgjohet aty në sallë përpara të zgjedhurve vendorë të Kryeqytetit.

Opozita jo vetëm që nuk trembet nga ajo fjalë, por kërkon / insiston që Veliaj të jetë aty, ballë për ballë, për t’i thënë atij dhe treguar qytetarëve disa të vërteta mbi korrupsionin dhe dëmet që ai i ka shkaktuar Tiranës në 10 vitet e fundit.

Lexo edhe :  Orë të gjata me diell dhe mot i kthjellët/ Ja si parashikohen temperaturat për sot

Pyetja që sot bën Tirana – dhe gjithë Shqipëria – është e thjeshtë: A do e lejojë qeveria Veliajn të dalë nga burgu për të folur, apo do ta mbajnë mbyllur nga frika se mos i del boja edhe atyre bashkë me të?

Sepse kur ke ndërtuar një regjim mbi propagandë dhe teatër, një fjalë e vetme jashtë skenarit prish gjithë shfaqjen.

Për shkarkimin e Veliaj duhej leja e qeverisë… po për fjalën e Veliaj, a do jepet ndonjë leje?
E marta po vjen… m.p.