80 mijë euro kokainë në lavatriçe! Çmontohet organizata shqiptare e drogës në Rodos

Policia greke ka arritur që të “zbërthejë” një tjetër grup kriminal shqiptar. Sipas asaj që mediat vendase shkruajnë mësohet se një tjetër rast i rëndësishëm trafikimi droge është zbuluar një ditë më parë në Rodos, ku Policia e Narkotikëve dhe Prokuroria bënë të mundur goditjen e këtij grupi dhe arrestimin e tre personave, ku dy prej tyre ishin shqiptarë.

Këta të fundit dyshohet se kishin fshehur një sasi prej afërsisht 800 gramë kokainë në një lavatriçe, në një zonë brenda Parkut Rodini.

Pas arrestimit të dy shqiptarëve, grupi hetimor ra në gjurmët edhe të anëtarit tjetër të këtij grupi. Operacioni kulmoi me kontrolle shtëpish, të cilat u kryen në orët e para të mëngjesit, duke zbuluar kështu të gjitha nyjet dhe mënyrën se si ky grup kriminal funksiononte.

Në pranga ranë shtetasit e moshave, 28, 30 dhe 31 vjeç, për trafik droge , dhunë ndaj punonjësve dhe qëndrim të paligjshëm në vend. Në veçanti, 30-vjeçari dyshohet se furnizoi drogë 28-vjeçarin, i cili më pas shpërndau sistematikisht sasi të vogla droge te përdoruesit e interesuar, të paktën dy prej të cilëve janë identifikuar. Aksioni nisi rreth mesnatës së shtunë nga oficerët e Policisë Kundër Drogës.

Dy shqiptarët akuzohen për shkelje të ligjit për drogën, ndërsa 30-vjeçari akuzohet edhe për shkelje të Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR). Gjithashtu 28-vjeçari ka dhe akuzë për dhunë ndaj punonjësve, informon media greke. m.p.