Braçe publikon videon nga “rruga e Salës”/Më pyesin njerëzit, kur do e çlironi këtë rrugë

Deputeti socialist për Tiranën, Erion Braçe, ka publikuar një video nga rruga “Mustafa Matohiti”, e njohur ndryshe edhe si ‘rruga e Salës’, për shkak të banesës që ka aty kryetari i PD Sali Berisha.

Braçe thotë se edhe lokalet që janë përgjatë asaj rrugice, do të duhet që të heqin tendat që kanë zaptuar hapësirat publike.

Deputeti socialist ka publikuar mesazhin që i ka dërguar një qytetar, ku ankohet përse në atë zonë nuk janë liruar hapësirat publike të lokaleve.

Teksa Braçe ka publikuar edhe përgjigjen e tij për qytetarin në fjalë.

“O deputet po këtu ke rruga Mustafa Matohiti, rrugica e Salës, pse nuk e lironi hapësirën publike? Vetëm për ne në komune fole me na i prish ti. Na shife vetë s’është prek asigjo e asnjoni”.

Ilir, rrofsh për videon. Bëj durim, do çlirohet çdo centimetër, kështu na kanë thënë”, ka shkruar Erion Braçe në Facebook.

Lirimi i hapësirave publike është një aksion që Kryeministri Edi Rama ka nisur në të gjithë vendin që prej muajit korrik./e.t