Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, i cili kërkonte shpalljen e tij të pafajshëm për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.
Gjici kishte kërkuar prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm të datës 24 qershor të vitit të kaluar, por Gjykata e Lartë konfirmoi dënimin e shkallës së dytë. Ish-kryebashkiaku ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj burg për aferën seksuale brenda zyrës së Bashkisë Kukës me Alma Kaçin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi ulje të dënimit me 3 vite.
Ndërsa Alma Kaçi u dënua me 1 vit e 6 muaj për “korrupsion aktiv”.
Më 19 maj të këtij viti, Safet Gjici u lirua nga qelia për shkak të problemeve shëndetësore dhe po kryen pjesën e mbetur të dënimit prej 6 muajsh në masën “arrest në shtëpi”. Gjici ka qëndruar gjithsej 23 muaj në burg.