Çmimet e pronave në Shqipëri “fluturojnë”/ Shifra marramendëse në tregun imobiliar

Rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri nuk ka të ndalur. Sipas Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, një pronë e shitur gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit ka kushtuar rreth 42% më shumë se një vit më parë.

Ekspertët e tregut vënë në dukje se ky trend ka ndjekur ecurinë e vitit 2024, por ritmi i rritjes së çmimeve është ngadalësuar krahasuar me periudhat e mëparshme.

Kryeqyteti ka pasur një ndikim të veçantë në këtë rritje, ku pronat u shtrenjtuan mesatarisht 32%. Kjo do të thotë se një pronë që një vit më parë shitej për 100 mijë euro tani mund të shitet për rreth 132 mijë euro. Rritje të konsiderueshme janë shënuar edhe përgjatë zonave bregdetare.

Megjithatë, çmimet më të larta kanë sjellë edhe një ngadalësim në shitjen e pronave. Koha mesatare për të shitur një banesë në rang vendi u rrit në 11.6 muaj, nga 9.3 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në Tiranë, kjo kohë është rritur në 11.1 muaj, nga 7.1 muaj më parë, ndërsa në bregdet, shitja e një prone zgjat mbi 1 vit.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo ngadalësim i shitjes mund të ndikojë në likuiditetin e tregut, duke bërë që blerësit të jenë më të kujdesshëm për çmimet që janë në nivele të larta./E.S