Qeveria shqiptare ka prezantuar këtë të enjte përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale planin strategjik për energjinë për periudhën 2025-2029. Kryeministri Edi Rama e ka ndarë në llogarinë e tij, ndërsa postimi është ripublikuar edhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Plani “Energjia 2025-2029” parashikon reduktimin e humbjeve në rrjet në nivelin nën 12 për qind, diversifikimin e burimeve të prodhimit me mbi 1,500 MW kapacitete të reja dhe ndërtimin e parkut më të madh eolik në Europë, me kapacitet 600 MW, në zonën e Tropojës.
Në dokument përfshihet edhe gazifikimi i qytetit të Korçës, trefishimi i kapaciteteve të eksportit të energjisë, si dhe forcimi i ndërlidhjes rajonale përmes linjave të reja interkonjeksioni, mes të cilave edhe fillimi i ndërtimit të linjës së re nënujore Shqipëri-Itali.
Një tjetër prioritet i strategjisë është përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes përmes investimeve të vazhdueshme, si dhe sigurimi i një infrastrukture moderne që mbështet objektivat e tranzicionit energjetik dhe integrimit rajonal.