Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhënë një tjetër sinjal të fortë për rëndësinë që ka procesi i zgjedhjes së kreut të ri të SPAK.
E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe hapat që priten në këtë proces.
Takimi u mbajt në një moment kur ende asnjë nga emrat e përfolur nuk ka dorëzuar kandidaturën për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Kreut aktual të SPAK, Altin Dumani, i përfundon së shpejti mandati trevjeçar, ndërsa vëmendja e publikut dhe faktorit ndërkombëtar është përqendruar tek mënyra si do të zgjidhet pasuesi i tij.
Në një deklaratë zyrtare, ambasada amerikane theksoi se:
“Integriteti i procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Posaçëm të SPAK është thelbësor për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe për forcimin e sigurisë së vendeve tona.”
Ky mesazh konfirmon edhe një herë mbështetjen e Uashingtonit për SPAK-un, por edhe vëzhgimin e kujdesshëm që SHBA po bën mbi procesin, i cili shihet si një test i rëndësishëm për drejtësinë shqiptare dhe për besueshmërinë e institucioneve të reja të reformës./E.S