Qeveria synon që brenda 4-vjeçarit të përfundojë korridorin VIII hekurudhor, një linjë nga Durrësi, në Pogradec. Ambicia është shprehur në programin qeverisës 2025 – 2029, ku ndër të tjera thuhet se do të garantohet ndërlidhja rajonale me projektet Durrës–Rrogozhinë dhe Rrogozhinë–Pogradec, 2 segmentet e këtij korridori. Duke përfshirë dhe hekurudhën Vorë – Hani i Hotit, që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi, paketa e investimeve të parashikuar për projekte ndërkufitare shkon në mbi 800 mln euro, nga të cilat mbi 400 mln euro kërkohen pikërisht për linjën Durrës – Pogradec.
Aktualisht është avancuar me gjetjen e financimit prej 120.5 mln euro, për segmentin Durrës – Rrogozhinë. Më konkretisht për këtë lot, që ka një gjatësi prej 33.5 km, pak javë më parë Këshilli i Ministrave ratifikoi marrëveshjen e grantit 60.5 mln euro me Bankën Evropiane për Investime. Ky grant është pjesë e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe shoqërohet me një kredi prej 30 mln euro nga BEI. Për realizimin e projektit do të akordohet edhe një kredi me vlerë 30 mln euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si pjesë integrale e paketës së financimit prej 120.5 mln euro.
Sa i takon segmentit tjetër, nga Rrogozhina, deri në Pogradec ende nuk ka informacion zyrtar në lidhje me finacimin. Ky do të jetë edhe segmenti më i kushtueshëm i Korridorit VIII hekurudhor, pasi ka një gjatësi prej 120.3 km. Më herët, Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor ka renditur përfitimet që do të vijnë nga rehabilitimi apo ndërtimi i kësaj linje, duke nisur nga shkurtimi i distancave, rritja e sigurisë së udhëtimit dhe reduktimi i emetimeve në ajër që vijnë nga transporti./e.t