Një debat për patat dhe një dëshirë evoluimi dhe për PD-në

Nga Alba Malltezi

Para se të ndodhin evolucionet e mëdha, ndodhin ato të voglat brenda nesh. Duke pritur që partia më e madhe opozitare shqiptare të pësojë evolucionin e duhur në logjikë, debat dhe konstruktivitet për të arritur qetësinë dhe si rrjedhojë forcën e kundërshtimit dhe balancimit të duhur të pushteteve, në botë, në çdo sekondë, ndodhin evolucione individuale, të vogla, por domethënëse.

Jam e sigurtë se secili prej nesh është dëshmitar i grimcave që përbëjnë globalen në këtë evolucion, si historia e debatit mes dy mikeshave perëndimore që po tregoj. Historia është kjo:

S. afrohet në grup duke treguar me entuziazëm se kishte blerë me çmim të leverdisshëm një kavanoz me “foie gras” (mëlçi pate e përpunuar dhe e realizuar me një teknikë të tmerrshme (gavazh), që përmes tubave me ushqim të sforcuar në fyt të patave, bën shëndoshjen e tyre dhe dhjamosjen e mëlçisë në kohë rekord). E. është një animaliste e deklaruar, e cila me lajmin e blerjes së “foie gras” nga shoqja e saj nuk e përmbajti veten duke renditur një lumë arsyesh, argumentesh, videosh, skandalesh që duhet ta çonin mikeshën e saj në vendimin që të mos bilnte kurrë ushqimin luksoz, madje edhe të mos e hante më kurrë. Nga ana e saj S. nisi të kundërpërgjigjej se edhe ajo është animaliste dhe se në realitet E-së i vjen keq për patat, por jo për peshkun e karkalecat, që sapo i kishte ngrënë në drekë, apo për fëmijët në Gaza, apo për fëmijët me diabet, të cilët ushqehen nga një industri po aq e tmerrshme dhe kancerogjene sa dhe metoda “gavazh” për patat e gjora të destinuara për prodhimin e “foie gras”…. debati vazhdoi dhe të gjithë ne menduam se këto akuza e kundërakuza do të çonin në ndarje të përjetshme mes dy shoqeve. Por jo. Pas një periudhe heshtjeje dhe reflektimi nga të gjithë, S. e merr fjalën dhe duke përqafuar E. i thotë: “Faleminderit, ti ke të drejtë! Kam menduar përherë për keqtrajtimin e kafshëve të gjora; qentë, macet, salmonët, bagëtitë me rritjet intensive dhe skllavëruese nga industritë, por jo për patat… Eshtë e vërtetë që zhvillimi ynë nuk parashikon që menjëherë të jemi njerëzit më etikë mbi tokë, por unë nuk mund ta injoroj ndjeshmërinë tënde dhe madje dua ta respektoj e të vendos që jo vetëm të mos konsumoj më “foie gras”, por të firmos peticionin për ndalimin e prodhimit të këtij produkti edhe në Francë, Spanjë e Hungari, siç ka ndodhur në vende të tjera europiane”.

Lexo edhe :  "Berishës nuk i intereson fitorja në Tiranë, sepse pastaj do thonë..."

Dy shoqet u përqafuan dhe pas kësaj dita rodhi normal dhe e qetë. Ajo që ngeli mes nesh nga kjo histori ishte ndjenja e mirë e pranimit të një veprimi të gabuar dhe përmirësimi pas kuptimit të plotë dhe të thellë të tij. Të gjitha bashkë firmosëm peticionin duke shpresuar se tortura ndaj patave paqësore të mos vazhdojë më për të sajdisur me këtë produkt luksoz pjatat e njerëzve. Asgjë nuk mund të jetë e shijshme dhe e ngrënëshme nëse lind nga veprime çnjerëzore.

A ka lidhje opozita jonë me shoqet që debatuan për “foie gras”? Ndoshta për shumë vetë jo, por ama, të shohësh individë, bashkëatdhetarë, struktura pushteti apo opozite që reflektojnë, debatojnë dhe gjejnë zgjidhjen më të mirë për të gjithë, është një shkëndijë shprese që ndihmon.