Pedagogu nis verifikimin administrativ për akuzat/ Gëzim Xhepa: Djali im nuk u favorizua

Një ditë më parë në media qarkulloi një procesverbal provimi ku lakohej emri i pedagogut dhe mjekut të njohur, profesor Gëzim Xhepa. Në dokument thuhej se ai kishte vlerësuar me notën maksimale 10 studentin Albion Xhepa, i cili rezulton të jetë djali i tij.

Pas këtyre publikimeve, profesor Xhepa i ka kontaktuar nga “Fjala.al” ka mohuar kategorikisht çdo shkelje ligjore, ndërsa ka sqaruar pozicionin e tij.

Profesori thekson se nuk ka qenë ai që ka vlerësuar drejtpërdrejt të birin, duke shtuar se ka ndërmarrë hapat administrativë për të provuar transparencën e procesit.

“Për aq kohë sa media kaloi linjën investigative, dhe me një padi vuri në lojë emrin e djalit tim duke mos njohur pozicionin e firmës time si titullar lënde, dhe jo vlerësues të djalit tim ekselent në gjithë provimet e vitit të parë, që i përkasin Fakultetit të Shkencave, dhe jo fakultetit tim, i jam shmangur rrugës mediatike dhe kam filluar procedurat administrative të vërtetimit të mos shkeljes së ligjit. Pavarësisht mos thirrjes në prokurori, nuk e kam shkelur në asnjë moment ligjin në jetë”, tha Xhepa.

Rasti ngjalli diskutime për konflikt interesi dhe transparencën në sistemin universitar, ndërkohë që Xhepa deklaron se emri i tij dhe i të birit janë përfshirë padrejtësisht në këtë debat publik./E.S