Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave themelore të individit gjatë ushtrimit të drejtësisë, duke deklaruar se fuqia e sistemit gjyqësor nuk qëndron vetëm te dënimi, por te legjitimiteti i tij.
Keshtu deklaroi gjatë një aktiviteti të mbështetur nga Këshilli i Evropës me temë: “Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri”. Zaçaj theksoi se një shtet demokratik duhet të gjejë balancën mes sigurisë dhe lirisë personale.
“Fuqia e drejtësisë nuk qëndron te dënimi, por te legjitimiteti, dhe legjitimiteti lind nga respektimi i të drejtave, edhe kur kjo është e vështirë,” – u shpreh kryetarja e Kushtetueses. Ajo paralajmëroi se shoqëria nuk ka nevojë për “drejtësi të shpejtë në dëm të drejtësisë së drejtë”.
Zaçaj ngriti shqetësimin për fenomenin e mbipopullimit në paraburgime, duke theksuar se respektimi i të drejtave të të ndaluarve nuk është çështje buxhetore, por kushtetuese dhe ligjore. Ajo shtoi se çdo kufizim i lirisë duhet të jetë i ligjshëm, proporcional dhe i mbështetur në garanci procedurale, sipas Kushtetutës dhe standardeve evropiane për të drejtat e njeriut./E.S