Projekte energjetike, reforma dhe emërime të reja/ Zbardhen vendimet e Qeverisë

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, qeveria ka miratuar një seri vendimesh të rëndësishme, duke përfshirë projekte infrastrukturore, marrëveshje financiare dhe ndryshime në përbërjen e institucioneve qeveritare.

Ndërtimi i një centrali fotovoltaik në Ersekë
Qeveria ka miratuar ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 30 MW në Ersekë. Projekti parashikohet të përfundojë brenda 36 muajve, me një afat operimi prej 49 vitesh. Shoqëria përgjegjëse do të raportojë çdo tre muaj mbi ecurinë e punimeve, do të respektojë kushtet mjedisore dhe do të dorëzojë një sigurim të kontratës në masën 5% të vlerës së investimit.

Marrëveshje garancie për huanë prej 20 milionë euro
Qeveria ka miratuar marrëveshjen e garancisë ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës së Tiranës për një kredi 20 milionë euro për Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), OSHEE Group, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe Furnizuesin e Tregut të Lirë (FTL).

Këshilli i Ministrave ka miratuar fushën e përgjegjësisë shtetërore të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Ministri do të jetë përgjegjës për drejtimin dhe koordinimin e reformës në administratën publike, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe sistemin e pagave, si dhe për hartimin e politikave dhe akteve ligjore në luftën kundër korrupsionit.

Gjithashtu ka miratuar misionin dhe fushën e përgjegjësisë shtetërore të Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatorit, i cili do të drejtojë teknikisht negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të bashkërendojë procesin e brendshëm të përgatitjeve për integrimin.

Sipas vendimit te KSHM, Ministri është përgjegjës për koordinimin e punës së grupit negociator, përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, ndjekjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian, hartimin e Planit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale. Ai gjithashtu ka detyrë të nxisë nisma për integrimin e përshpejtuar dhe të garantojë informimin e publikut mbi procesin e anëtarësimit

Lexo edhe :  Kapet 21.5 kg heroinë pranë Kapshticës

Ndryshime në kabinet dhe institucione

Edona Bilali emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

Silva Caka emërohet zëvendësministre e Punëve të Brendshme

Eugena Tomini emërohet zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm, lirohet nga detyra

Mira Kapisyzi, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, lirohet nga detyra

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë, shkarkohet me propozim të Këshillit Bashkiak Tiranë, miratuar me vendimin nr.69, datë 23.9.2025.