Seanca e sotme e dosjes “5D” në Gjykatën e Posaçme ka shënuar momente tensioni dhe debate të forta, ku deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, u thirr si dëshmitar dhe kallëzues. Ai u pyet nga mbrojtja e të pandehurve, duke përfshirë ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla, në një përballje që u karakterizua nga tonet e ashpra dhe pyetjet e avokatëve.
Avokati i Redi Mollës, Denion Bogdani, ka sfiduar Këlliçin lidhur me kohën dhe rolin e tij kur depozitoi kallëzimin për aferën korruptive 5D. Pjesëmarrësit në sallë e përshkruan seancën si “plot tension dhe tone të larta”, ku debati mes deputetit dhe mbrojtjes ka kërkuar ndërhyrjen e gjyqtares relatore, Flora Hajradinaj, për të ruajtur rregullin.
Debatit në seancë
Denion Bogdani: “Çfarë detyre mbanit kur erdhi denoncimi anonim?”
Belind Këlliçi: “Kandidat zyrtar i PD për zgjedhjet lokale për Tiranën. Kur kam bërë kallëzimin kam qenë deputet në dy javët e fundit të mandatit. Informacionin anonim ia kam bashkangjitur kallëzimit. Deklaratave të mia publike iu qëndroj të gjithave. Ditën që kam depozituar kallëzimin e quaj kapitull të mbyllur.”
Denion Bogdani: “Kujt i hyjnë në xhep kallëzimet e Belind Këlliçit?!”
Në këtë moment, gjyqtarja relatore ndërhyri për të ruajtur qetësinë në sallë:
Relatorja Flora Hajradinaj: “Kujdes me qëndrimet, avokat, se me sa duket dikujt i paska hyrë në xhep!”
Debati nuk ndali me kaq, teksa avokati Bogdani bëri një provokim të drejtpërdrejtë ndaj Këlliçit:
Denion Bogdani: “Keni ndërmend të kandidoni për Bashkinë e Tiranës se është në burg Redi Molla nuk t’i vjedh më dot zgjedhjet…”
Për shkak të toneve provokuese dhe shkeljeve të solemnitetit të gjykatës, Bogdani u gjobit me 20 mijë lekë dhe u paralajmërua se në rast përsëritjeje mund të përjashtohej nga seanca.
Pas përfundimit të seancës, Belind Këlliçi deklaroi për mediat se pyetjet nga mbrojtja kishin qenë “me tone intimiduese” dhe kishin kaluar në interpretime politike.
“U thirra si dëshmitar dhe si kallëzues për dosjen famoze 5D. Jam pyetur nga avokatët e drejtorëve, për rrethanat, për burimin e informacionit dhe teknikalitete që kanë të bëjnë me çështjen. Përgjigjet e mia kanë qenë me shumë etikë. E kam depozituar gjithë dokumentacionin që kam pasur. Beteja ime është me Veliajn, me Ramën, me Ballukun, të gjithë që janë përfshirë në afera korruptive”, tha ai,
Atmosfera brenda gjykatës reflektoi tensionin që vijon të shoqërojë dosjen “5D”, e cila lidhet me një nga aferat më të mëdha të supozuara të korrupsionit në Bashkinë e Tiranës. Përplasjet mes deputetëve që ndërmarrin kallëzime për korrupsion dhe mbrojtjes së ish-drejtorëve po bëhen gjithnjë e më të ashpra, duke risjellë në vëmendje edhe dimensionin politik të çështjes./E.S