Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i njohur në publik si ‘çuni i Fahriut”, ka reaguar ashpër pas emërimit surprizë brenda qeverisë “Rama”, ku Silva Caka, ish-anëtare e Partisë së Lirisë, u emërua zëvendësministre e Brendshme.
Balliu e quajti Cakën “tradhtare në dispozicion”, duke akuzuar personat që sipas tij “shiten” dhe bëhen pjesë e qeverisë pavarësisht bindjeve të mëparshme politike.
“Këta i quaj tradhëtarë në dispozicion. Ka në çdo parti të tillë. Ka njerëz që shiten dhe nuk shiten. Ne jemi një opozitë që nuk shitet. Unë refuzoj që të bëhem palë me një qeveri që bëhet palë me kriminelët,” – tha Balliu, në programin “Dreka” përballë Ola Brukos.
Deputeti kritikoi gjithashtu ata që sipas tij përpiqen të shfaqen si mbështetës të opozitës, por në të vërtetë bashkëpunojnë me qeverinë. Ai theksoi se shumë anëtarë të opozitës kanë qëndruar dekada në frontin politik pa përfitime personale, ndërsa individë të tjerë përfitojnë nga pozicionet e reja.
Balliu mbylli deklaratën duke theksuar se emërimi i Cakës është një shembull i personave që “shiten nga Rama dhe Belinda” dhe nuk ruajne besimin ndaj bindjeve të tyre politike të mëparshme./E.S