Urgjencë në Parlament/ Braçe kërkon raportime dhe veprim të menjëhershëm

Deputeti socialist Erion Braçe ka bërë thirrje që Parlamenti të fillojë menjëherë punën dhe të jetë funksional, duke theksuar vonesat në shqyrtimin e detyrimeve ligjore.

“Parlamenti duhet të fillojë punë me në fund! Komisionet të nisin punën”, shkruan Braçe në një postim. Ai ka kërkuar veçanërisht që Komisioni për Ekonominë, Financat dhe Punësimin të marrë në shqyrtim detyrimet ligjore që janë ende të papërmbushura.

Braçe ka theksuar se disa institucione kyçe, përfshirë Banka e Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoriteti i Konkurrencës, duhet të raportojnë për punën e vitit 2024, ndërsa komisioni i përgjegjshëm duhet të analizojë rezultatet edhe nga këndvështrimi i qytetarëve.

“Imagjinoni, për pak ditë jemi në tetor — po mbyllet viti dhe ende duhet të analizojmë punën e vitit që shkoi! Është shumë vonë”, shtoi Braçe, duke paralajmëruar për nevojën urgjente të veprimit parlamentar.