3.5% rritje ekonomike për Shqipërinë/ BERZH jep sinjalet e stabilitetit

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka konfirmuar sot parashikimin për ekonominë shqiptare, duke e mbajtur të pandryshuar normën e rritjes në 3.5% për vitet 2025 dhe 2026. Ky vlerësim shihet si një sinjal pozitiv për stabilitetin ekonomik të vendit, pavarësisht sfidave të brendshme dhe të jashtme.

Sipas raportit, në tremujorin e parë të vitit 2025 ekonomia shqiptare u rrit me 3.4%, e nxitur kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe ndërtimit, ndërkohë që bujqësia dhe industria shënuan një tkurrje të lehtë.

Në anën monetare, inflacioni mbeti i ulët, duke zbritur në 2.3% në gusht, ndërsa Banka e Shqipërisë ndërmori uljen e tretë të normës bazë të interesit që prej verës së 2024-s, duke e çuar në 2.5% në korrik.

Megjithatë, raporti evidenton edhe rreziqet për ekonominë shqiptare. Midis tyre, BERZH thekson ngadalësimin e mundshëm të kërkesës në Eurozonë, uljen e dërgesave të emigrantëve dhe faktorët klimatikë si thatësira, të cilat mund të godasin si bujqësinë, ashtu edhe prodhimin e energjisë elektrike.

Nga ana tjetër, institucionet ndërkombëtare vlerësojnë se reformat strukturore dhe përparimet në procesin e integrimit në BE mbeten një burim i rëndësishëm potencial për forcimin e perspektivës së rritjes.

Në këtë kuadër, ekonomia shqiptare shihet si e orientuar në një trajektore të qëndrueshme, me pritshmëri pozitive për vitet që vijnë./E.S