Gjimnazistët e ‘28 Nëntorit’ improvizojnë dasmën shkodrane

Në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës u rikthye atmosfera e një dasme qytetare tradicionale. Protagoniste te shfaqjes jane nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori”.

Me kostume popullore, ata sollën para publikut skena të zakonshme të dasmes, duke u bërë pjesë e historisë që rrëfen qyteti i tyre.

Mësuesit vlerësuan jo vetëm interpretimin, por edhe angazhimin e nxënësve në hulumtimin e dokeve e zakoneve.

Një vend të veçantë në këtë shfaqje zënë kostumet tradicionale, të cilat mbeten ndër pasuritë më të çmuara të trashëgimisë së Shkodrës.

Në muze nuk munguan as vizitorët e huaj, që e shijuan këtë shfaqje te vecante.

“Është e disata herë që vij në Shkodër dhe më pëlqen shumë qyteti. Kemi parë veshje tradicionale, shumë të bukura dhe moderne për kohën. Fantastike”,- shprehet turisti francez.

Një emocion të veçantë i dha aktivitetit, 88-vjeçarja Maxhide Kraja, e cila ndau kujtimin e ditës së saj të martesës me kostumin tradicional shkodran.

Kjo shfaqje u kthye në një urë lidhëse mes brezave, duke treguar se tradita e dasmës shkodrane mbetet një pasuri e cmuar. m.p.