Hapet në COD ekspozita fotografike me në fokus mjedisin

Ambasada e Francës në Shqipëri në bashkëpunim me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) dhe COD kanë sjellë artistikisht një ekspozitë fotografike që ilustron mbështetjen e Francës për projekte që kanë në fokus mjedisin dhe ndryshimet klimatike, kjo si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Europian.

Në ceremoninë zyrtare të organizuar sot në ambientet e COD mori pjesë ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, si dhe drejtori i zyrës së AFD për Ballkanin Perëndimor, Arnaud Dauphin.

Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mjedisit dhe energjisë së rinovueshme, shkruan atsh.

Ministri Jaupaj vlerësoi se Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.

“Në 10-vjetorin e Marrëveshjes së Parisit për Klimën, u ndalëm për të reflektuar mbi rrugën që kemi bërë dhe për të forcuar vazhdimësinë, ku Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, nga ligji ‘Për ndryshimet klimatike’ deri te hartimi i planeve të përshtatjes për ndryshimet klimatike në nivel vendor”, theksoi ai.

Ministri e vlerësoi ekspozitën fotografike, si “një simbol për të treguar realitetin dhe për të na frymëzuar të vijojmë angazhimet tona, megjithëse Shqipëria nuk ndot në nivel global, por vuan njësoj pasojat që vijnë nga ndryshimet e klimës”.

Jaupaj vlerësoi po ashtu mbështetjen e Agjencisë Franceze për Zhvillim si, një partner i besueshëm në këtë rrugëtim.

Arti dhe vizioni për një të ardhme të qëndrueshme, është në fokus të ekspozitës së kuratores dhe fotografes Soela Zani që u hap në COD. Në këtë ekspozitë arti dhe natyra ndërthuren me angazhimin për klimën, energjinë e pastër dhe mjedisin.

Lexo edhe :  Pas takimit në seli, Rama ulet në kafe me deputetët dhe ministrat

Ekspozita përcjell bukuritë e Karavastasë, Karaburunit, Kune-Vainit dhe Durrësit, zona ku sot po zbatohen projekte të rëndësishme bashkëpunimi mes Francës dhe Shqipërisë.

Ky partneritet, përmes energjisë së rinovueshme, menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe përmirësimit të furnizimit me ujë, është më shumë se investim: është një angazhim për një Shqipëri më të gjelbër, më të fortë dhe më të qëndrueshme.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 27 shtator./e.t