Adriana Kalaja, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka deklaruar publikisht gatishmërinë për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, nëse opozita do të vendosë të mbështesë emrin e saj.
Kalaja sqaroi se nuk i ka kërkuar personalisht Sali Berishës që të jetë kandidate, por ka komunikuar me të dhe ai i ka thënë se kandidatura e saj do të merret në konsideratë në diskutimet për përzgjedhjen e kandidatit të opozitës.
Ajo shtoi se e konsideron këtë një detyrim përballë qytetarëve të Tiranës dhe vlerësoi se opozita duhet të vijë me figura që përfaqësojnë integritet dhe angazhim qytetar.
“Ia kam konfirmuar doktorit, nuk i kam thënë dua të kandidoj, por nëse PD dhe koalicioni, opozita, ka nevojë për emrin tim dhe kontributin tim, jam e gatshme të kandidoj. Kjo nuk është risi e imja, nuk u ngrita një ditë pas lajmit që dha kryeministri për emërimin e kandidaturës së PS për Tiranës, por nëse rikthehemi pas në kohë, unë kam qenë kandidate në 2022 për primaret e PD, primare që i fitoi Belindi dhe për të cilën është akoma i njëjti mandati, sepse primaret e vitit 2022 prodhuan kandidatin për zgjedhjet e majit 2023. Dy fituesit e parë, zoti Këlliçi dhe Alimehmeti, nuk kanë shprehur interes, po kështu ndjesë pastë zoti Bogdani që ishte i treti ka ndërruar jetë, kështu edhe në aspektin statutor dhe moral, kam shfaqur ambiciet e mia, kam patur program gjithëpërfshirës, pavarësisht e mediat afër pushtetit dhe konkurenca brenda partisë, u morën më shumë me tezën e tritolit.
Ai tha do ta kemi në konsideratë dhe pas diskutimeve do ta vendosim, pasi do të ketë diskutim edhe me drejtues të tjerë dhe me partitë aleate. Në situatën ku ndodhet Tirana, në një moment shumë deciziv, ku vlen më shumë produkti, me gjithë shkeljet që ka në shkarkim, tek e fundit ne kemi qenë për shkarkimin dhe dënimin e Veliajt. Është momenti më i mirë që opozita të dalë me kandidat të përbashkët, por edhe për të thyer këtë mentalitet, që me Ramën nuk fitohet dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.” /E.T