Komisione të reja, kompetenca të paqarta/ Kuvendi futet në terr ligjor

Kuvendi i Shqipërisë e ka nisur legjislaturën e re me ndryshime në Rregulloren e brendshme, por ndryshe nga praktikat e mira parlamentare, këto ndryshime u realizuan në mënyrë të njëanshme, vetëm nga një parti dhe pa asnjë proces konsultimi publik.

Konstatimi vjen nga Isntituti i Studimeve Politike.

Dokumenti nuk gjendet ende në faqen zyrtare të Kuvendit, por është publikuar vetëm në Fletoren Zyrtare, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe mënyrën e vendimmarrjes.

Ndryshimet përfshijnë emërtime dhe ndarje të reja të komisioneve parlamentare. Një element me interes profesional lidhet me ndarjen e përgjegjësive ndërmjet komisioneve, ku ende mbeten paqartësi mbi kompetencat dhe detyrat konkrete.

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ruan funksionet klasike: shqyrtimin e kodeve dhe ligjeve për përputhshmërinë me standardet europiane, mbikëqyrjen e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të drejtësisë si SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, KLGJ, KLP, ILD, të cilat do të vijojnë të raportojnë para tij.

Nga ana tjetër, është krijuar një komision i ri, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e strategjive, rezolutave dhe planeve të Kuvendit, do të ndjekë peticionet qytetare dhe do të koordinojë kontrollin postlegjislativ ndaj ekzekutivit dhe institucioneve të pavarura.

Megjithatë, ndarjet e reja sjellin mbivendosje kompetencash. Ende nuk është e qartë se cili komision do të ketë të drejtën e raportimit të institucioneve të drejtësisë, kush do të iniciojë rezoluta ose ndërhyrje ligjore dhe si do të ndahet mbikëqyrja për institucione të rëndësishme si KLSH, ku së paku tre komisione pretendojnë të jenë përgjegjës.

Debate të shumta mbi këtë çështje janë shfaqur në Konferencën e Kryetarëve, në Byronë e Kuvendit dhe në diskutimet informale në korridoret e parlamentit. Kritikat kryesore lidhen me mungesën e konsultimit dhe pasojat që ndryshimet e shpejta mund të kenë për funksionimin e Kuvendit.

Lexo edhe :  Vendi vakant/ Gjykata e Lartë zgjedh anëtarin e ri të Kushtetueses më 30 shtator

Testi i parë për këtë ndarje kompetencash do të jenë raportimet e institucioneve të pavarura, të planifikuara për periudhën tetor-nëntor 2025, megjithëse procesi duhej të ishte përmbyllur që në mars-qershor të këtij viti dhe ende nuk ka nisur.

Kjo situatë pritet të ndikojë drejtpërdrejt në efikasitetin e punës parlamentare, ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse Kuvendi do të arrijë të shmangë kaosin institucional të krijuar nga ndryshimet e njëanshme dhe të pa konsultuara./E.S