Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar ndaj disa raportimeve mediatike që pretendonin se Ekuadori kishte shpallur “mafien shqiptare” si organizatë terroriste.
Në një deklaratë zyrtare, MEPJ thekson se këto pretendime janë të pavërteta, duke sqaruar se në fjalimin e Ministres së Jashtme të Ekuadorit në Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk ka asnjë përmendje të shqiptarëve apo të ndonjë grupi me lidhje me Shqipërinë.
Sipas MEPJ-së, disa media online kanë përhapur keqinformim lidhur me një çështje që nuk ka bazë në realitet, duke sajuar pretendime për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Deklarata e plotë e ministrisë:
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndjekur keqinformimin e disa mediave online gjatë ditës së sotme, mbi faktin plotësisht të pavërtetë të përmendjes së Shqipërisë apo shqiptarëve, në fjalën kombëtare të Ekuadorit, nga Ministrja e Jashtme e Ekuadorit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ky është një fakt tërësisht i sajuar, pa asnjë vërtetësi, pasi as Shqipëria dhe as shqiptarët nuk përmenden në këtë fjalim, i cili është publik, i aksesueshëm në faqen zyrtare të OKB-së.
Fjala e ministres mund të lexohet nga çdokush që nuk përpiqet të keqpërdorë këto forume të larta ndërkombëtare duke sajuar fakte të paqëna, për të ulur dinjitetin, reputacionin dhe imazhin që Shqipëria ka ndërtuar me sukses në arenën ndërkombëtare.”
Ky reagim synon të sqarojë publikun dhe të mbrojë reputacionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke demantuar informacionet e rreme që qarkullojnë në disa media online./E.S