Fundjava do të jetë me mot të paqëndrueshëm, madje do të ketë edhe reshje shiu. Kështu shprehet meteorologia e Meteoalb, Lajda Porja.
“Do të kemi reshje, më të shumta do të jenë në jug dhe juglindje, ku do të ketë rrebeshe. Më pak reshje do të ketë veriu dhe qendra, përfshirë edhe kryeqytetin. Edhe e shtuna dhe e diela, ndonëse në orët e paradites do të jenë kryesisht me kthjellime, pjesa e dytë e ditës do të ketë zhvillim të vranësirave, duke sjellë reshje, herë pas here edhe rrebeshe”, tha Lajda Porja, Meteoalb.
Edhe temperaturat do të vijnë në ulje, duke e bërë një fundjavë tipike vjeshte.
“Të shtunën do të jetë 27 apo 28 gradë. Një tjetër rënie na prek gjatë ditës së dielë. Dhe, në fakt, duke filluar që nga e shtuna, e diela, fillimi i javës tjetër do ta ndjejmë atmosferën e vjeshtës, për shkak se deri më tani kemi përjetuar një shtator shumë të nxehtë.”, tha ajo.
Sipas meteorologëve, shqetësues do të jetë edhe parametri i erës.
“Në disa momente do të shkojë deri në 50 km në orë. Do të jenë momente shumë të shkurtra, kjo do të bëjë që, sidomos të shtunën në mbrëmje dhe të dielën gjatë natës, të kemi një erë relativisht të fortë në brigjet detare, duke sjellë probleme edhe në trafikun detar.”
Meteorologët parashikojnë se këto kushte moti do të na shoqërojnë edhe javën që vjen./e.t