‘Paqja Fiskale’, falen 335 milionë euro borxhe mbi 10-vjeçare

‘Paqja Fiskale’, karta e fortë e fushatës elektorale të socialistëve në aspektin ekonomik, pritet të nisë zbatimin nga janari i vitit të ardhshëm, sipas programit të qeverisë Rama 4.

Prej kësaj nisme që do të zgjasë për 3 vjet, parashikohet që të përfitojnë të paktën 213 mijë tatimpagues me detyrime tatimore të papaguara.

‘Paqja’ parashikon fshirje të detyrimeve më të vjetra se 10 vjet, praktikisht të detyrimeve të krijuara deri në vitin 2016. Report TV mëson se janë 355 milionë euro detyrime me vjetërsi mbi 10-vjeçare, të cilat praktikisht do të fshihen përmes kësaj paqeje fiskale, duke i çliruar bizneset nga statusi debitor.

Përfituesit e dytë më të mëdhenj do të jenë ata që kanë borxhe me vjetërsi deri 5-vjeçare. Për këto subjekte parashikohet fshirje e gjobave dhe e kamatave, por pagim i detyrimit.

Deri në fund të qershorit, borxhi me këtë vjetërsi ishte 62,9 miliardë lekë ose gati 630 milionë euro, bashkë me kamatëvonesat.

Kategoria e tretë janë subjektet me borxhe nga 5-10 vjet. Kush realizon pagesën e detyrimit tatimor (pra të tatimit të papaguar) me 1 këst, merr zbritje 50% për gjobat e kamatat, ndërsa kush i paguan në disa pjesë merr ulje 25%.

Borxhet me këtë vjetërsi arrijnë në vlerën 72.7 miliardë lekë ose 727 milionë euro.

Por sa është borxhi tatimor në total?

Sipas të dhënave të siguruara nga Report Tv, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve deri në qershor të këtij viti totali i detyrimeve të papaguara është 175,5 miliardë lekë ose 1.7 miliardë euro, në rritje në raport me vjet kur detyrimet ishin 1.6 miliardë euro.

Nga këto 107.7 miliardë lekë rreth 1 miliard euro janë detyrim, 59.7 miliardë ose 597 milionë euro janë gjoba dhe 8.1 miliardë lekë ose 81 milionë euro janë interes.

Lexo edhe :  Shqipëria në kulmin e turizmit/ Mbi 2,3 milion vizitorë vetëm në gusht

Vlera më e madhe e detyrimeve të papaguara i takon TVSH-së, ndjekur nga tatimi mbi fitimin e më pas vijnë detyrimet e tjera si TAP, DIVA apo sigurimet.

Pikëpyetje ngrihen për sigurimet shoqërore të papaguara nga biznesi, nëse do të preken nga kjo paqe. Lehtësimi i subjektit, do të penalizonte qytetarët, duke iu ulur vitet e punës. m.p.