Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dorëzuar kërkesën zyrtare për zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend, duke kërkuar vëmendje mbi prioritetet e qeverisë Rama për mandatin e katërt dhe mbi ndikimin që krimi i organizuar ka në jetën publike dhe në politikën shqiptare.
Në deklaratën e tij, Bardhi thekson se përgjegjshmëria dhe llogaridhënia e qeverisë janë thelbësore për procesin demokratik, ndërsa parlamenti duhet të diskutojë jo vetëm bilancin e programit të kaluar të qeverisë, por edhe prioritetet e programit të ri qeverisës.
“Anëtarësimi në Bashkimin Europian kërkon rritje të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, çështje që duhet të shqetësojnë çdo deputet,” thekson Bardhi. Ai shton se efikasiteti i qeverisjes lidhet ngushtë me integritetin e ministrave, pasi dyshimet për kriminalizim të jetës politike dëmtojnë besimin tek institucionet dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Bardhi nënvizon se është e rëndësishme që deputetët të luajnë një rol aktiv në avancimin e kësaj axhende, duke nxit Kuvendin të zhvillojë debat të hapur mbi ndikimin e krimit të organizuar në politikë dhe në jetën publike.
Kërkesa e tij bazohet në nenin 98, pika 1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë dhe synon të vendosë në fokus transparencën, integritetin dhe përgjegjësinë e qeverisë në këtë mandat, në një fazë kyçe për Shqipërinë që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Analistët politikë vlerësojnë se një debat i tillë mund të rrisë presionin mbi qeverinë për të adresuar problemet e thella në administrim dhe të sigurojë një diskurs të hapur për qytetarët mbi politikat dhe prioritetet reale të vendit./E.S