Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një takim me dy përfaqësuese të nivelit të lartë të Këshillit të Europës, Lilja Gretarsdottir, drejtuese e Departamentit të të Drejtave të Njeriut, Drejtësisë dhe Bashkëpunimit Ligjor, si dhe Giulia Re, drejtuese e zyrës së KiE në Tiranë.
Në qendër të diskutimeve ishin prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të Programit Qeverisës 2025-2029, si dhe procesi i hartimit të Kodit të ri Penal, një reformë që pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në kuadrin ligjor shqiptar.
“Çmojmë shumë ekspertizën e lartë të Këshillit të Europës në hartimin e Kodit të ri Penal, për të cilin kemi nisur tashmë një proces konsultimi gjithëpërfshirës e transparent”, u shpreh Lamallari pas takimit.
Ai theksoi se bashkëpunimi me Këshillin e Europës ka qenë i frytshëm dhe i vazhdueshëm, duke ndihmuar në forcimin e shtetit të së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe harmonizimin e ligjeve shqiptare me standardet europiane.
Ministri i Drejtësisë ndau gjithashtu prioritetet e institucionit që ai drejton për mandatin e ardhshëm qeverisës, të cilat janë në përputhje me procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Do të vijojmë bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin e Europës edhe në një sërë projektesh konkrete për asistencë teknike, trajnime dhe mbështetje, në kuadër të konsolidimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi”, tha Lamallari.
Takimi vjen në një moment kyç për procesin e reformave në sistemin e drejtësisë, ndërsa Shqipëria përgatitet për fazat e reja të integrimit europian./E.S