Sy të pikëlluar? Ekspertët shpjegojnë sekretin e komunikimit të qenve me njerëzit!

Nëse keni një qen, me siguri keni vënë re shikimin e tij me sy të mëdhenj, të lagësht e të butë, që shpesh duket i trishtuar. Por, sipas shkencës, ky nuk është gjithmonë një tregues mërzie – përkundrazi, është një formë e zgjuar komunikimi me njerëzit.

Studimet e fundit në fushën e etologjisë tregojnë se qentë kanë zhvilluar me kalimin e mijëvjeçarëve aftësinë për të përdorur shprehjet e fytyrës për të tërhequr vëmendjen dhe dashurinë e pronarëve. Shikimi “i trishtuar” shkaktohet nga një muskul i veçantë rreth syrit, i quajtur “levator anguli oculi medialis”, i cili ngrit vetullën dhe krijon një shprehje që prek emocionalisht njeriun.

Një studim i publikuar në “Proceedings of the National Academy of Sciences” tregoi se qentë e përdorin këtë shikim kryesisht kur janë përballë njerëzve, dhe jo kur janë vetëm, duke e bërë të qartë se kjo është një formë ndërveprimi social e jo thjesht një refleks.

Interesant është fakti se ujqërit – paraardhësit e qenve – nuk e kanë këtë muskul të zhvilluar, çka tregon se aftësia është formuar gjatë procesit të zbutjes së tyre nga njeriu.

Pra, herën tjetër që qeni juaj ju shikon meata sy “të pikëlluar”, mos u shqetësoni. Shumë shpesh, ai thjesht po ju kërkon pak më shumë vëmendje dhe dashuri./kb