Në një botë dixhitale, siguria kibernetike është bërë një shqetësim global. Bashkë me ndryshimet e saj, teknologjia po sjell edhe rritjen e numrit të kërcënimeve kibernetike.
Një sulm kibernetik përbën një tentativë të qëllimshme për të shfrytëzuar sistemet kompjuterike, rrjetet ose pajisjet. Në shënjestër mund të jenë objektiva të ndryshme, përfshirë vjedhjen e të dhënave të ndjeshme apo bllokimin e sistemit.
“Sulmet kibernetike janë përpjekje nga hakerat për të depërtuar në një sistem ose rrjet kompjuterik, qoftë për të vjedhur informacione të ndjeshme, për të ndërprerë operacionet ose për të kërkuar para në këmbim të ndalimit të sulmit. Mendojeni si një hyrje dixhitale: në vend që një hajdut të hyjë në shtëpinë tuaj, është dikush që futet në rrjetin e një kompanie. Sulmet mund të jenë nga email-et, duke u përpjekur të mashtrojnë dikë që të zbulojë fjalëkalimet ose deri te sulmet me ransomware që bllokojnë të gjitha skedarët në një sistem kompjuterik derisa të bëhet një pagesë”, tha eksperti për Sigurinë Kibernetike, Sam Rubin.
Më 19 shtator 2025, aeroportet kryesore të Evropës, mes tyre Heathrow në Londër, Brukseli dhe Berlini, u përballën me ndërprerje të fluturimeve. Shkaku ishte një sulm kibernetik ndaj kompanisë amerikane Collins Aerospace, konkretisht ndaj sistemit të regjistrimit dhe imbarkimit. Si pasojë, u anuluan disa fluturime dhe u shkaktuan vonesa për shkak se procedurat u kryen manualisht.
Ekspertët vlerësojnë se dëmi ekonomik nga sulmet kibernetike arrin mbi 20 miliardë dollarë në ditë. Përveç ndërprerjes së fluturimeve, viktima të sulmeve kanë qenë edhe kompani të mëdha britanike.
Në prill, Marks & Spencer pësoi një humbje prej rreth 300 milionë paund nga një sulm. Në shtator, Jaguar Land Rover ndaloi prodhimin, duke paralizuar tre fabrika në Britani.
“Ajo që mendoj është se njerëzit nuk e kuptojnë që ky është një problem global. Sulmet kibernetike po na kushtojnë, si shoqëri, mbi 20 miliardë dollarë në ditë. Këta autorë të sofistikuar po na synojnë ne, organizatat tona dhe po përpiqen të na bllokojnë dhe të na pengojnë të bëjmë biznes ose të vazhdojmë jetën tonë të përditshme.”
Kjo formë tjetër sulmi, e njohur si ransomware, shpesh shoqërohet me shantazh dhe zhvatje.
Në sektorin e shitjes me pakicë, pasojat shkojnë përtej humbjeve financiare. Ndërprerja e shërbimit, humbja e besimit të klientëve dhe rreziku i hetimeve janë pasoja të drejtpërdrejta.
“Një sulm ransomware ndodh kur një sulmues ka akses në një organizatë dhe bllokon skedarët për të parandaluar aksesin tonë në to. Por e dini çfarë? Nuk bëhet fjalë vetëm për bllokimin e skedarëve. Ata në fakt vjedhin informacion. Pra, nuk është vetëm ransomware, por është zhvatje ku ata përdorin atë akses, skedarët e bllokuar, informacionin që kanë vjedhur dhe e mbajnë atë mbi ne dhe thonë, hej, nëse nuk na paguani, do të zbulojmë informacionin tuaj të ndjeshëm privat dhe nuk do të dalim nga rrjeti juaj dhe nuk do t’ju lejojmë të zhbllokoni këto skedarë.”
Ekspertët theksojnë se masat parandaluese janë trajnimet e vazhdueshme për punonjësit, shtimi i sigurisë dhe përditësimi i programeve. Por ka edhe një anë pozitive në lidhje me mbrojtjen nga sulmet kibernetike.
Teknologjia e re e inteligjencës artificiale po i ndihmon ekipet e sigurisë të dallojnë kërcënime reale midis të gjitha të dhënave që monitorojnë dhe të kenë shikueshmëri më të mirë në të gjithë rrjetin, në mënyrë që të shohin kërcënimin në kohë reale dhe të ndërmarrin veprime më shpejt, shpjegon Rubin.
“Ajo që duhet të bëni, është të kryeni trajnim ndërgjegjësimi për punonjësit në çdo kohë për t’u siguruar që të jenë vigjilentë në lidhje me rreziqet dhe kërcënimet që ekzistojnë, si dhe të ndërtoni shtresa të shumëfishta mbrojtjeje. Lajmi i mirë këtu është se po shohim gjithashtu një ndryshim rrënjësor në anën e mbrojtjes, ku ka teknologji që po sjell aftësi të inteligjencës artificiale, që u lejon mbrojtësve të shohin sinjalin. Pra, të shohim kërcënimin në kohë reale dhe të ndërmarrim veprime më shpejt.”
Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga kompania franceze Thales, sulmet kibernetike në sektorin e aviacionit janë rritur me 600% gjatë vitit të kaluar./kb