“58 kate kullë, por pa shkolla e çerdhe!” Për çfarë po flet Erion Braçe?

Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur shqetësimin lidhur me ndërtimet që po kryhen poshtë digës së liqenit artificial në Tiranë.

Përmes një poatimi në rrjetet sociale, ai përmendi disa çështje kryesore që sipas tij rrezikojnë cilësinë e jetës në zonë që janë furnizimi me ujë të pijshëm, infrastruktura arsimore, e shëndetësia.

Deputeti theksoi se ndërtimet shtrihen deri poshtë digës dhe kanë përfshirë edhe parkingun e bashkisë, për këtë arsye, ai kërkoi kujdes maksimal për të garantuar qëndrueshmërinë e digës, sidomos kur po parashikohen gjashtë kate nëntokë.

Braçe theksoi se problematika bëhet edhe më e madhe, pasi në të njëjtën zonë po ndërtohen një pallat te Art Turbina, një kompleks te Parku Olimpik, si edhe komplekse të tjera.

Postimi i plotë i Braçes:

Tirana/ 5-sa. 58 kate këtu poshtë digës së liqenit, ok, është pronë private e do zhvillohet, e kemi pranuar këtë logjike! Më në fund, ferrishtes lënë me minj, qen e mace të ngordhura, gjarpërinj etj i doli i zoti, po e kërkoja prej muajsh e s’u përgjigj kurrë për të pastruar këtë hapësirë. Shqetësimi që kam lidhet me infrastrukturën publike. E para, uji i pijshëm ose uji-Komuna në tërësi dhe kjo zonë, ka pasur probleme këtë verë në furnizimin me ujë, konsumatore që shtohen duhet të shoqërohen me burime ose sasi uji të shtuar që nuk cenon sasinë e ujit që shkon për frymë në banorët e zonës.

E dyta, infrastruktura arsimore- Komuna dhe kjo zonë këtu, nuk ka asnjë çerdhe, ka vetëm një kopsht terësisht i ezauruar, diku pas pallateve të rrugës së Kosovarëve, nuk ka asnjë shkollë 9 vjeçare, nuk ka asnjë gjimnaz, në periferi fare të zonës është 9- vjeçarja ‘Dëshmorët e Lirisë tërësisht plotë dhe i sterezauruar gjimnazi Peteo Nini. E treta, infrastruktura shëndetësore- Komuna dhe kjo zonë nuk kanë asnjë ambulancë, asnjë qendër shëndetësore, ndërkohë që poliklinikën e kanë tek 21 Dhjetori.

Lexo edhe :  Ambasada e SHBA në Tiranë njoftim të rëndësishëm për aplikantët për vizë

E fundit, zona e ndërtimit vjen deri poshtë digës, ka përfshirë dhe parkingun e bashkisë dhe e ndan nga diga rruga; do duhet kujdes i madh për të siguruar qëndrueshmërinë e saj, eleminuar rrezikun e ujërave kur aty do të shkohet 6 kate nën dhe. Besoj që janë shqetësime legjitime. Dua t’u kujtoj se sot në këtë zonë po ndërtohen e janë në faza të ndryshme, një pallat te Art Turbina, një kompleks tek Parku Olimpik, një kullë e lartë mbi 20 kate tek shkolla Kristaq Rama, një kompleks tek Kristali, një tjetër kompleks tek Kika 2. Pra nevoja për infrastrukturë publike është ulëritese’, shkruan ai. m.p.