Është arrestuar autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit italian në Tepelenë, i cili dyshohet të jetë ekzekutuar me armë zjarri.
Raportohet se shtetasi i arrestuar Gazmend Braçe, ndërsa viktima është i identifikuar si Edoardo Sarchi. Sarchi rezulton të jetë një biznesmen italian, pronar i një fabrike tullash në kryeqytet.
“Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes”, tha më herët policia.
Por nga hetimet e Policisë kanë dalë detaje të reja mbi ngjarjen. Dyshohet se 44-vjeçari italian ka humbur jetën si pasojë e një goditje në kokë (ende nuk është verifikuar nëse ka qenë armë ose jo).
Policia ka marrë me rezerva dëshmitë e personave që kanë qenë me italianin kur ka ndodhur ngjarja. Ata deklaruan se një person i panjohur i ka dalë para italianit dhe e ka qëlluar, por policia ka dyshime për vërtetësinë e dëshmive.
Në automjetin e shtetasit italian nuk është gjetur asnjë gjurmë arme zjarri, ç’ka shton dyshimet se vrasja mund të ketë ndodhur jashtë makinës.
Ndërkohë hetimet vijojnë për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të të gjithë personave të përfshirë./kb