Dronë serbë mbi Kosovë, KFOR hedh poshtë dyshimet

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, para mediave tha se është shkelur hapësira ajrore e Kosovës nga dronë që dyshojnë se janë futur nga Serbia. Një deklaratë të tillë e kishte bërë edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla. Hoxha tha për këto shkelje e kanë informuar KFOR-in, i cili është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999. Por, misioni i NATO-s ka thënë se nuk kanë identifikuar dronë që mund të ndikojnë në sigurinë e vendit. “Ne nuk kemi identifikuar shkelje nga dronë që mund të ndikojnë në sigurinë në të gjithë Kosovën. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, kështu që KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe aseteve në dispozicion të tij”, thuhet në përgjigjen e KFOR.

KFOR tha se është thelbësore që të gjitha aktivitetet në hapësirën ajrore, veçanërisht afër vijës kufitare me Serbinë, “të koordinohen në mënyrë të përshtatshme me KFOR-in për të parandaluar tensionet dhe për të garantuar sigurinë”. “KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe. Dhe vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij t të OKB-së, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”./kb