Profesoresha e njohur dhe njëkohësisht avokate, Joana Qeleshi, është zgjedhur në krye të Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, duke marrë votëbesimin e anëtarëve për t’i shërbyer drejtësisë në vendin tonë.
Gjatë një reagimi për mediat, Qeleshi shprehu mirënjohje dhe falenderime për Presidentin e nderit dhe themeluesi e shoqatës, Av. Saimir Saimir Vishaj dhe për të gjithë kolegët e saj.
Qeleshi tha se misioni i saj në krye të shoqatës do të jetë vendosja e dinjitetit të Avokatit, dëgjimin e zërit të tij, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe rritjen e kapaciteteve dhe mundësive të bashkëpunimit të avokatëve penalistë.
“Sot Shoqata e Avokatëve Penalistë nën Drejtimin e Kryetarit Av. Saimir Vishaj pati ditën e zgjedhjeve të Kryesisë, ku kolegët avokatë penalistë më nderuan me zgjedhjen Kryetare të Shoqatës!
Mirënjohja dhe falenderimi kryesor imi dhe i gjithë kolegëve shkon fillimisht për Presidentin tonë të nderit Av. Saimir Saimir Vishaj themeluesi dhe Kryetari i shoqatës, i cili ka drejtuar prej fillimi me një suksesh të padiskutueshëm shoqatën! Profesionalizmi, përkushtimi, mirësia, kurajo dhe energjia e pashtershme e tij janë shembull force e suksesi për secilin nga ne dhe rrugëtimi për t’u ndjekur nga unë në drejtimin e mëtejshëm të shoqatës, me mbështetjen e Presidentit dhe çdo anëtari tjetër. Vijimi më tej i punës dhe rezultateve të tij është një motivim i padiskutueshëm për të gjithë!
Falenderoj përzemërsisht të gjithë kolegët avokatë që morën pjesë dhe më dhanë besimin e tyre sot, duke pranuar këtë përgjegjësi me besimin se kur profesionistët bëhen së bashku, janë zë i fuqishëm dhe i rëndësishëm për këdo, edhe për ata që nuk kanë veshë të dëgjojnë e sy të shikojnë! Angazhimi dhe mbështetja e të gjithë kolegëve avokatë do të mundësojë realizimin e misionit të shoqatës në vendosjen e dinjitetit të Avokatit, dëgjimin e zërit të tij, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe rritjen e kapaciteteve dhe mundësive të bashkëpunimit të avokatëve penalistë! Tashmë jemi të shumtë në numër, të pregatitur profesionalisht dhe duhet të jemi së bashku për të qenë pjesë e zhvillimeve dhe ndryshimeve të rëndësishme në sistemin e drejtësisë! Urime dhe suksese kolegëve të zgjedhur në Kryesinë e shoqatës Avokate Tanko Liljana, Av.Aida Prifti, Av.Dritan Trifka , Av.Lorenc Danaj dhe Av.Perparim Noka , si dhe Sekretaren e Përgjithshme të Shoqatës Av.Avokate Sabina Meta! Sukese të mëtejshmë të gjithëve dhe të jemi së bashku në këtë rrugëtim të rëndësishëm!”, shkruan Joana Qeleshi.
Me një përvojë të gjatë në fushën e jurisprudencës, Qeleshi do të përfaqësojë tashmë zërin e avokatëve penalistë në Shqipëri. Karriera e saj arriti majat si kryegjyqtare e Gjykatës së Durrësit, më pas si avokate, ndërkohë që është edhe profesoreshë e procedurës penale në Fakultetin e Drejtësisë. Ky kombinim rolesh e ka pajisur me të gjithë përvojën dhe formimin e nevojshëm për të mbajtur këtë post të rëndësishëm. m.p.