Në prag të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, Partia Socialiste ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e Ogerta Manastirliut, ndërsa opozita vijon pa një emër të konfirmuar. Në emisionin “3D” në RTSH, Aulon Kalaja kritikoi ashpër vonesën e Partisë Demokratike në përgatitjen për garën elektorale.
“Ndërkohë që opozita do të duhej të përgatitej me një emër, tani më është kohë e humbur dhe kandidati që duhej të dilte dje, nuk del as nesër, se sot nuk ka dalë”, tha Kalaja.
Ai theksoi se mazhoranca ka shpallur kandidatin që më 11 shtator, ndërsa opozita nuk ka reflektuar seriozitetin e duhur për një garë të tillë.
“Edi Rama, me gjithë makinerinë e vet shtetërore, me deputetë e ministra, ka një emër të shpallur. Nga opozita nuk kemi kandidat. Politika duhet të ketë seriozitet”, theksoi ai.
Kalaja vlerësoi se opozita ka humbur një moment kritik që prej shkurtit, kur Erion Veliaj u arrestua, duke mos prezantuar një figurë të qartë për kryetar bashkie.
“Opozita duhej të dilte me një emër në hije që në atë moment. Tani duket sikur është hapur një garë se kush nuk duhet të kandidojë, jo kush duhet të kandidojë. Kjo është çmenduri”, tha ai.
Kalaja e cilësoi Ogerta Manastirliun si një kandidate të dobët, por me mbështetje të fortë partiake, ndërsa i bëri thirrje PD-së të qartësojë pozicionin e saj edhe në raport me partitë aleate.
“PD duhet të ndajë mendjen edhe me partitë që ka rreth e qark – a janë ato paterica të pushtetit, apo e kanë ndarë mendjen për një front opozitar?”, u shpreh Kalaja./kb