Konventa e Shefave të Policisë Evropiane (EPCC), e mbajtur këtë vit në selinë qendrore të Europol në Hagë, Holandë, mblodhi mbi 400 shefa policie dhe zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit nga 53 vende dhe 13 organizata ndërkombëtare.
Në këtë edicion të 14-të të EPCC-së ishte i pranishëm edhe kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili përfaqësoi Shqipërinë në diskutimet ndërkombëtare.
Fokusi i këtij viti ishte te dy kërcënimet emergjente: pastrimi i parave përmes kriptovalutave dhe rekrutimi i të miturve përmes hapësirave online.
“Në panelin tematik ‘Ndiqni Paranë’, ekspertët diskutuan mënyrat se si krimi i organizuar, krimi kibernetik dhe financimi i terrorizmit po përfitojnë nga shërbimet financiare digjitale, përfshirë IBAN-et virtuale, platformat e decentralizuara të financave (DeFi), asetet kripto dhe teknologjitë fintech,” bëhet me dije në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Ky takim ndërkombëtar ofroi një mundësi për shkëmbimin e eksperiencave, identifikimin e rreziqeve të reja dhe koordinimin e strategjive mes autoriteteve ligjzbatuese për të përballuar kërcënimet e krimit modern dhe kibernetik./E.S