Virgjëreshat shqiptare dhe orientimi i tyre seksual

Nga Ilir Yzeri

Këto ditë ka pasur një debat sipas stilit shqiptar për orientimin seksual të një kategorie unike antropologjike shqiptare që njihen me emrin « virgjëresha » ose « burrnesha ». Aty nga viti 2014, për nevojat e mia akademike, përgatita një kumtesë që e mbajta në një aktivitet ndërkombëtar në Bukuresht, me titullin « Virgjëreshat shqiptare në kërkim të një vendi antropologjik » (Partages, genrés de l’espace, Universiteti « Spiru Haret », Bucarest, 2014, Ilir Yzeiri- Les vierges albanais à la recherche d’un lieu antropologique, June 5-6, 2014 ». Nga ai studim po sjell disa konsiderata pwr kwtw argument. Virgjëreshat shqiptare janë femra që zgjedhin të jetojnë si burra. Për këtë, ato betohen para një jurie prej dymbëdhjetë vetësh që nuk do të shkelin virgjërinë. Disa prej tyre ndërrojnë edhe pamjen, duke prerë flokët dhe duke u veshur me rrobe meshkujsh. Ato fitojnë statusin e mashkullit dhe kanë të drejtë të bëjnë një jetë më të lirë ; mund të mbajnë armë, mund të dalin në mal të kullosin bagëtinë, të sillen si meshkujt, madje duke gëzuar edhe disa nga kënaqësitë e tyre, si pirjen e duhanit apo alkoolin.

Është një dukuri relativisht e vjetër që, sipas albanologëve të huaj, shfaqet diku nga shekulli XVII dhe prek zonat e Veriut të Shqipërisë, Malësinë e Madhe, Malin e Zi dhe Bosnjen. Ajo është vënë re nga albanologë të huaj, si Hahn apo udhëtarë të ndryshëm, si Durheim, dhe është përshkruar edhe nga misionarë katolikë që shërbenin në këto zona, dhe kishin interesa për studime etnologjike e antropologjike[1]. Pas rënies së komunizmit, në Shqipëri numëroheshin dhjetëra virgjëresha të cilat, shumë shpejt, u gjendën të rrethuara nga kureshtja e pothuajse të gjitha mediave të globit. Gazetarë, fotografë, e lloj-lloj kuriozësh, vërshuan në Shqipëri për t’i parë nga afër dhe për të gjurmuar jetën e tyre. U botuan artikuj, pothuajse, në të gjitha të përditshmet e mëdha të globit si « New York Times », « Daily Mail », u prodhuan dokumentarë, filma, u botuan libra artistikë dhe në vitin 2000, një antropologe angleze, Antonia Yuong » boton librin « Women Who Become Men »[2].

Qoftë kjo autore, qoftë edhe gazetarë apo dijetarë të ndryshëm që janë marrë apo që merreshin me këtë dukuri, në fillim, u joshën nga ideja se pas këtyre virgjëreshave, mund të fshihej një formë e fshehtë e homoseksualitetit, e lashtë, dhe e panjohur më parë. Mirëpo, shumë shpejt, ata vunë re se kjo dukuri, në rastin shqiptar, homoseksualiteti, pra, nuk ekzistonte. Për ta shpjeguar fenomenin, më parë, duhet të dimë se cili ishte vendi i femrës në Kanun. Aty raporti mashkull/femër paraqitet në një formë brenda së cilës shtresëzohen disa kuptime, dhe, në raportin femër/ mashkull, Kanuni shqiptar reflekton një gjendje të lashtë të jetës shoqërore që gjendet, fjala vjen, edhe te popujt gjermanikë. Aty, vendi i femrës, disa herë, plotësohet me figurën e mashkullit. Virgjëreshat janë një ilustrim i qartë i këtij sistemi. Mallkimi më i madh për një femër, sipas Kanunit, është shterpësia, paaftësia e saj për t’u bërë nënë, për t’u riprodhuar. E virgjër quhesh derisa nuk je martuar ose në qoftë se refuzon të martohesh. Këtë vullnet ato ia deklarojnë familjes së tyre.

Në qoftë se ajo ka qenë e fejuar, atëhere ajo do të betohet para një jurie prej 12 vetësh që do të rrijë përjetë e virgjër dhe familja është e shtrënguar që të kthejë dhuratat që ka marrë nga familja e djalit. Femrat në malësitë e Veriut të Shqipërisë e zgjedhin këtë status jo vetëm për të kundërshtuar fejesën, por edhe për motive të tjera. Një nga arsyet më të shpeshta është e drejta e trashëgimisë e cila, disa here, u jepet atyre që kanë statusin e « virgjëreshave ». Sipas Kanunit, femra është e zhveshur nga e drejta e pronësisë. Ajo as nuk merr dhe as nuk trashëgon asgjë prej pasurisë familjare. Studiuesit e lidhin këtë me një reminishencë të shmangies së matriarkatit, sepse, në qoftë se femrës do i njihej ky status, atëhere në familjen e burrit do të vërshonin anëtarët e e familjes nga vija e nënës.[3] Po ashtu, sipas një ligji tjetër të pashkruar, në qoftë se dy vajza mbeteshin jetime, atëhere sipas besimit që “dy vajza bëjnë një djalë”, këto të dyja, në qoftë se deklaroheshin “virgjëresha”, mund të gëzonin një jetë të natyrshme, duke shfrytëzuar gjithë pasurinë e babait, megjithëse ai, babai, mund të kishte trashëgimtarë meshkuj nga ana e tij, si djemtë e vëllait, fjala vjen.

Ndërkaq, nëse mbetet jetime vetëm një vajzë, pa pasur të tjerë meshkuj në familjen e vëllezërve të babait, ajo, me kushtin që të deklarohet virgjëreshë, mund të gëzojë trashëgiminë e të atit. Por, në qoftë se ajo ka dhe të tjerë të afërm meshkuj, këta duhet të llogarisin edhe pjesën e saj e cila është e barabartë me të tyren. Virgjëresha e administron atë deri në vdekjen e saj. Kur ajo vdes, pasuria e saj i kalon trashëgimtarëve meshkuj. Po ashtu, nëse prindërit vdesin dhe lënë një fëmijë të madhe “virgjëreshë” dhe disa të tjerë më të vegjël, ajo merr përgjegjësinë e menaxhimit të familjes. Madje edhe kur fëmijët meshkuj rriten, asaj i mbeten përgjegjësitë, të cilat mund t’i hiqen vetëm nëse ajo i refuzon vetë. Në të tilla raste shefi i familjes duhet të veprojë dhe të marrë vendime vetëm në bashkëpunim me të. Një tjetër motiv për të mbetur virgjëreshë mund të jetë edhe dashuria për familjen ose egocentrizmi familjar. Kjo ndodh atëhere kur prindërit nuk janë të aftë të menaxhojnë familjen, qoftë për shkaqe të moshës, qoftë për shkaqe të tjera. Në këtë rast, duke mos pasur fëmijë të tjerë që të marrin këto përgjegjësi, vajza heq dorë nga martesa dhe betohet se do të rrijë virgjëreshë.

Lexo edhe :  Tritoli në vilën e Mziut, akuzat politike dhe ‘Shamikuqja’

Por këto janë raste të rralla sepse, sipas besimit të malësorëve, është turp i madh të mos martosh vajzën, të mos e shkëmbesh këtë mall. Në shumë raste, vajza që është betuar si virgjëreshë merr rrobat e mashkullit, vishet si burrë dhe, ashtu si djali, shfaq formën sublime të mashkullit – mbajtjen e armës. Virgjëreshat dallohen nga vajzat e tjera sepse ato kolliten si burrat dhe ashtu si ata mbajnë shallin, kësulën, dhe xhoken, një lloj xhakete e shkurtër e zezë. Ato kërkojnë gjithnjë e më shumë që të bëjnë jetën e mashkullit; zgjedhin të punojnë tokën, të pinë duhan. Disa studiues, sidomos etnologët e shkollës romantike të Vienës, mendojnë se “virgjëreshat nuk përbëjnë një kastë”. Studiuesit janë të ndarë sa i takon vlerësimit të tyre. Injac Zamputi, një studiues i njohur shqiptar, mendon se kur një vajzë është e rrëmbyer nga çështjet që i përkasin fisit dhe ndien në veten e saj energji të mjafta për t’i shërbyer vendit si të ishte djalë (sidomos kur shtëpia e prindit nuk ka djalë), ajo mund ta bëjë këtë që të mos konsiderohet tepricë në shtëpi apo në fis të vet, por me një kusht që është dhe një sakrificë: ajo duhet të heqë dorë nga funksioni kryesor që ka gruaja në atë shoqëri, domethëne duhet të qëndrojë përgjithmonë e virgjër, pa shkuar te burri dhe të heqë dorë nga mëmësia.

Ajo duhet të heqë dorë nga jeta e saj seksuale. Duhet të mendojë, të veprojë e të vishet si burrë. Po Kanuni nuk ia njeh tërësisht këtë status. Ajo ka vetëm “lirinë me ndejë me burra”[4]. Sipas Zamputit, këto virgjëresha janë identifikuar më pas me figurat e grave luftëtare, heroina, që nga roli i mashkullit kanë marrë vetëm guximin, trimërinë dhe sakrificën për nevoja të ruajtjes së territorit të fisit, apo dhe të kombit. Studiuesit kanë vënë re se virgjëreshat shqiptare janë krejtësisht të ndryshme nga zakoni i heterisë joniane. Në fakt, heteret joniane dhe virgjëreshat shqiptare janë dy shenja të kundërta, sepse të parat ndërrojnë kuptim dhe përafrohen me burrin, por pa marrë prej tij utopinë e kënaqësisë seksuale, kurse ato joniane refuzojnë jetesën me burrin, por nuk heqin dorë nga kënaqësia seksuale. Studiuesit bien në një mendje se është e vështirë të përcaktohet vjetërsia e këtij zakoni që i kalon kufijtë e Malësisë. Ata kanë hetuar se në një krahinë tjetër, në atë të Matit, pra më në verilindje, ky zakon ndeshet ende edhe në periudhën e kalimit në islamizëm.

Por si duhet pajtuar koncepti kanunor se gruaja është caktuar, në radhë të pare, për të shkuar te burri që t’i sigurojë atij shtimin e konakut me këtë praktikë virgjërimi? Studiuesit mendojnë se ky është një përjashtim[5], sepse po të kishte rrezikuar riprodhimin, Kanuni nuk do ta kishte lejuar. Ai mund të lidhet edhe me një zakon tjetër të jetës së fiseve të Malësisë, gjurmët e të cilit sipas Zamputit i gjejmë në një dokument të vitit 1617: “Burrat nuk martohen derisa të bahen tridhjetë vjeç dhe vajzat njëzetë e pesë. Vajzat nuk dallohen prej meshkujve sepse janë të rrueme flokësh dhe veshin rroba burrash dhe kur martohen i lënë flokët të rriten”[6].  Në hapësirën utopike të përkushtimit për punët e fisit, femra e malësisë projektohej si e ngjashme me burrin, dhe, gjithmonë, për të kryer këtë mision, ajo heq dorë nga feminiliteti dhe transferohet në hapësirën e mashkullit. Por, ka dhe raste kur, edhe pasi e ka mbaruar këtë mision, ajo nuk arrin të rikthehet në hapësirën e utopisë së femrës, sepse një pasion tjetër, ai për vëllain që është më i madh se të gjitha pasionet e tjera, e tërheq deri në vetëflijim. Në legjendat shqiptare, në atë të Gjergj Elez Alisë, fjala vjen, motra, pasi ka ndënjtur nëntë vjet duke mjekuar të vëllain e plagosur me ujët e burimit nëntëvjeçar, kur vëllai, pasi është ngritur nga shtrati ku rrinte për nëntë vjet, dhe pasi ka vrarë në dylyftim bajlozin, vdes, po ashtu edhe motra shuhet në të njëjtën ditë me të:

Te dy zemrat po pr’i herë janë ndalun[7]

Një shembull tjetër i virgjërisë së përkohshme është edhe ai i motrës së Skënderbeut, e cila, pas vdekjes së Vojsavës qëndroi virgjëreshë dersia u kthye i vëllai që e martoi dhe i vuri nderin në vend. Sepse nderi suprem i vajzës në malësi është të bëhet gruaja e burrit. Te virgjëreshat e betuara disa studiues kanë parë edhe një aspekt të virgjërisë asketike kristiane. Sipas tyre, për ta kristalizuar në Kanun konceptin e virgjërisë mund të ketë ndikuar virgjëria asketike kristiane. Të nxitur nga këta misionarë, disa nga vajzat malësore dhe fushore, atëhere kur nisi të praktikohej virgjëria kristiane, i prishën fejesat e detyruara dhe, për të shmangur hakmarrjen dhe gjakderdhjen që mund të shkaktonte një vendim i tillë, përqafuan këtë lloj virgjërie.

*Komenti i ADN-së 129

(1)Dr. Ernesto Cozzi, La donna albanese,  ANTHROPOS, Revue internationale d’ethnologie et de linguistique, Sonderabdruck, band VII, 1912, Ëien, Osterreich, p.309-335.

[2] Antonia Yuong, Oxford[u.a.] Berg 2000

[3] Shih Cozzi E. vep e cit., f.318.

[4] Kanuni § 1228

[5] Cozzi, E. , Zamputi, I.

[6] Nga një letër e datës 23 tetor 1617 e të quejtunit sulltan Jahja në „ Sultan Jahja drll imperial casa ottomana, etc, publicati da Vittorio Catuldi, Trieste 1889, fq.506, cituar sipas I. Zamputi, f. 119

[7] Po aty, Gjerjg Elez alia,/kb