Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dërguar një mesazh të fortë paralajmërues ndaj Rusisë, duke thënë se çdo tentativë për ndërprerje të energjisë në Kiev do të marrë përgjigje të njëjtë në Moskë.
“Nëse Rusia i vë vetes qëllim të shkaktojë një ndërprerje të energjisë në Ukrainë çdo dimër, atëherë nuk jam i sigurt nëse përgjigja e Ukrainës dhe partnerëve të saj duhet të jetë e ndryshme. Nëse ata kërcënojnë me errësirën në kryeqytetin ukrainas, atëherë Kremlini duhet ta dijë se do të ketë një ndërprerje edhe në kryeqytetin rus”, deklaroi Zelensky gjatë një vizite në Nju Jork, ku u takua me Presidentin amerikan Donald Trump.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Kievi përgatitet për një tjetër dimër të vështirë nën kërcënimin e sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike. Zelensky ka theksuar se aleatët perëndimorë do të mbështesin Ukrainën në çdo hap, përfshirë edhe kundërpërgjigjet ndaj Moskës.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka përsëritur se Rusia mbetet e gatshme për bisedime, duke nënvizuar se “Presidenti Vladimir Putin ka qenë dhe mbetet i hapur për negociata që synojnë eliminimin e shkaqeve rrënjësore të konfliktit”. Lavrov shtoi gjithashtu se Moska është e gatshme të diskutojë garancitë e sigurisë për Ukrainën, por pa dhënë detaje mbi kushtet konkrete.
Analistët paralajmërojnë se përplasja mes retorikës kërcënuese të Kievit dhe ofertave diplomatike të Moskës reflekton polarizimin e thellë të palëve, ndërkohë që lufta ka hyrë në një fazë vendimtare me pasoja të mëdha për stabilitetin energjetik të rajonit.