Një nga rrugët kryesore në Ersekë merr emrin e Artan Lames

Një nga rrugët kryesore të qytetit të Ersekës në Kolonjë është emëruar në nder të politikanit, publicistit dhe historianit Artan Lame.

Ceremonia e përurimit u zhvillua sot në qytetin e Ersekës, ku morën pjesë familjarët, miqtë dhe banorë të shumtë.

Nëna e të ndjerit Diana Lame dhe bashkëshortja Mirela Lame shprehën mirënjohjen që emri i Artan Lames do të mbetet pjesë e qytetit të tij të origjinës.

Kreu i bashkisë së Ersekës, Erion Isai, vlerësoi kontributin e Artan Lames në fushën e historisë dhe studimeve shqiptare.

Ai theksoi se Artan Lame do të kujtohet gjithmonë si një nga kolonjarët krenarë që i dha shumë kulturës dhe dijes shqiptare.

Artan Lame u nda para kohe nga jeta në 23 maj, në moshën 58-vjeçare, në Mynih të Gjermanisë. Ai do të kujtohet gjithmonë si një ndër kontribuesit kryesorë në fushën e historisë dhe studimit, si dhe një nga veprimtarët e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të vendit./E.T