Studentë dhe pedagogë nga FMD në trajnimin shkencor në Universitetin e Kietit, Itali

Studentë dhe pedagogë nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare, pjesë aktive e programit “Biomaterials and 3D Printing for Therapeutical Applications”, organizuar nga Prof. Bruna Sinjari dhe Universiteti “Gabriele d’Annunzio”, Chieti-Pescara

Në datat 08 -13 shtator 2025, në Universitetin “Gabriele d’Annunzio” Chieti Pescara, u zhvillua një program trajnimi mjaft interesant, “Biomaterials and 3D Printing for Therapeutical Applications”. Ky program u ideua dhe u organizua në mënyrë perfekte nga Prof. Bruna Sinjari, koordinatore dhe përgjegjëse e këtij aktiviteti. Aktualisht Prof. Bruna Sinjari është e deleguara e Rektorit e këtij universiteti për marrëdhëniet me universitetet e Ballkanit. Prej vitesh ajo ka dhënë një kontribut të spikatur në bashkëpunimin aktiv, të suksesshëm dhe të gjithanshëm ndërmjet Universitetit “Gabriele d’Annunzio” Chieti-Pesacara dhe Fakultetit të Mjekësisë Dentare.
Ky aktivitet një javor mblodhi së bashku akademikë të spikatur të Universitetit të Chietit, me profesorë dhe studentë të universiteteve ndërkombëtare, si Irlanda, Hollanda, Spanja, Greqia, Lituania, Rumania, Moldavia, Polonia, etj. Në të patën mundësinë të marrin pjesë studentë dhe pedagogë nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare, UMT.

Ky program nuk ishte thjesht një aktivitet akademik, por një eksperiencë e plotë shkencore, profesionale dhe kulturore, që la gjurmë të thella tek të gjithë pjesëmarrësit.
Leksionet e mbajtura nga akademikë me përvojë, prezantimet e detajuara dhe sesionet praktike mbi aparaturat dhe teknologjitë më të fundit dixhitale dhe mbi biomaterialet, u pritën me shumë interes nga pjesëmarrësit, si një mundësi për të thelluar dijet, duke mësuar teknika të reja dhe duke kuptuar më qartë perspektivat që ofron kjo fushë për të ardhmen e stomatologjisë dhe të mjekësisë.

Gjatë gjashtë ditëve të larmishme, niveli i lartë shkencor i prezantimeve të profesorëve, u ndërthur me organizimin e përkryer të pjesës sociale dhe kulturale, ku studentët dhe pedagogët u njohën me natyrën mbresëlënëse, me historinë e vendit, si dhe shijuan aktivitetet sportive dhe turet çiklistike, karakteristikë e zonave të Peskarës. Atmosfera e ngrohtë dhe miqësore e krijuar ndikoi në forcimin e lidhjeve mes pjesëmarrësve, duke e kthyer këtë trajnim në një eksperiencë gjithëpërfshirëse, jo vetëm si një mundësi për të fituar njohuri të reja, por edhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes universiteteve, për të forcuar marrëdhëniet akademike ndërkombëtare dhe për të krijuar një frymë të re bashkëpunimi që do të ketë ndikim afatgjatë.

Lexo edhe :  Berisha u drejtohet socialistëve: Maskuat 18 Erion Veliaj

Ky aktivitet mbetet një përvojë e paharrueshme që do të shërbejë si frymëzim dhe motivim për zhvillimin e mëtejshëm akademik dhe profesional të të gjithë studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës.
Falenderimet tona më të ngrohta shkojnë për Prof. Bruna Sinjarin dhe ekipin që ajo ka krijuar, si dhe për stafin mbështetës, të cilët me profesionalizëm, përgjegjshmëri, korrektesë, mikpritje dhe respekt në çdo detaj, arritën të realizojnë një aktivitet të nivelit më të lartë, duke dëshmuar një shembull të shkëlqyer të vlerave të larta akademike dhe njerëzore.